Lajme

4 vjet burg për Suu Kyi, rrezikon 100 të tjerë


Nën 11 akuza, ish-kancelarja e Shtetit në Myanmar, Aung San Suu Kyi, është dënuar me katër vjet burgim, në një seri gjyqesh që pritet ta çojnë dënimin e saj deri në të përjetshëm.

Vetë Suu Kyi, i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj saj. Mirëpo, për juntën e re në Myanmar, ajo është fajtore dhe akti i parë për të cilin “paguan dënimin”, është thyerja e rregullave të COVID-19 dhe nxitja e grumbullimeve nën ligjin e fatkeqësive natyrore.

Prej 1 shkurtit, Suu Kyi mbahet në burg. Datë kjo, e cila përkon me grushtin e shtetit të ndodhur në Myanmar nën drejtimin e gjeneralit të lartë Min Aung Hlaing.

Ish-presidenti i vendit, po i arrestuar, Win Myint, u dënua për të njëjtën akuzë me katër vjet.

Reagimi i ndërkombëtarëve ka qenë i menjëhershëm mbi këtë veprim. Nga organizata botërore Amnesty International, doli menjëherë një deklaratë kundër vendimit për Suu.

“Dënimi i rëndë i dhenë për Suu Kyi është shembulli i fundit i një vendosmërie ushtarake për të zhdukur çdo shenjë opozitarizmi dhe lirie në Myanmar”.

76-vjeçarja, fituese edhe e çmimit Nobel për paqen, është përplasur ideologjikisht edhe më parë me gjysmën ushtarake të pushtetit.

Mënyrë se si funksionon Mynmar-i, i jep në tërësi gjysmën e pushtetit ushtrisë dhe gjysmën Kancelarisë.

Mirëpo përplasjet e shpeshta dhe mbi të gjitha fitorja e Suu-së në zgjedhjet e fundit, nuk u pritën mirë nga gjenerali Hlaing.

Për këtë të gjithë gjeneralët ushtarakë, po përgatisin një sërë dënimesh për udhëheqësen e rrëzuar. Nëse në tërësi ato do të mblidhen, mund të shkojnë deri në 104 vjet burgim.

Të shqetësuar janë edhe trupa mbrojtëse e Suu.

“Ata qartësisht duan që ajo të vdesë në burg”, është thënë nga stafi i ish-kancelares.

Ndërsa nga pushteti i tanishëm, procese të tjera priten ndaj saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore