Libra

334 vjet me ligje të Newton-it


Isaac Newton

Para 334 viteve, u publikua vepra me peshën më të madhe shkencore në historinë e njerëzimit “Parimet Matematikore të Filozofisë së Natyrës” (1687) e Isaac Newton, vepër e cila ndërroi paradigmën e të bërit shkencë njëherë e përgjithmonë.

Kjo vepër u bë himni i shpirtit shkencor të “Epokës së Aryes”, vepra më e trumpetuar në historinë e shkencës, si dhe modeli i vetëm i autoritetit shkencor.

Moto-ja e famshme e Newton-it ishte “Hypotheses Non Fingo/ Unë Nuk Ndërtoj Hipoteza”, me hipotezë ai nënkupton “parime të para spekulative dhe a priori”.

Në këtë vepër, të njohur si Prinçipia, Newton shpalosi ligjet fizike të lëvizjes, ligjin universal të gravitetit dhe një zgjatim të ligjeve të Kepler-it për lëvizjen e planetëve, që më vonë në shkencë janë quajtur 3 ligjet e Newton-it.

Depërtimi shkencor i Newton-it i elaboluar në Prinçipia-n e shihte universin si hapësirë të zbrazët të ndërthurrur mes forcave të padukshme gravitacionale.

Si për grimcat më të imta në natyrë (atomet) ashtu edhe për objektet më gjigande në univers, forca tërheqëse midis dy objekteve është proporcionale me prodhimin e masave të tyre dhe zvogëlohet me katrorin e distancës ndërmjet tyre.

F = G(m1m2)/R2

Ligji i parë ka të bëjë me tendencën inherente brenda objekteve për të vazhduar me aktivitetin/pasivitetin e tyre. Objekti i reziston ndryshimit në gjendjen e saj lëvizëse/qetësie, përveç kur ndikohet nga forca më të mëdha.

Ligji i dytë thotë se nxitimi i një objekti varet drejtpërdrejt nga forca neto që ndikon në objekt, matematikisht e shprehur si: a=F/m

Kurse ligji i tretë ka të bëjë me forcat e barabarta të veprimit dhe kundërveprimit. Për çdo forcë ekziston edhe një kundër-forcë e barabartë. Nëse një trup e shtynë një trup tjetër me një forcë, edhe ky trupi i fundit e shtynë me forcë po aq të barabartë në drejtim të kundërt, dhe matematikisht është shprehur si: FAB = – FBA

Matematizimi i Fizikës ishte hapi kryesor në avansimin e shkencës. Rene Descartes, filozofi francez kishte zhviluuar gjeometrinë analitike, dhe tani Newton kishte vënë themelet e mekanikës klasike, duke u dhënë shkencëtarve metodat më të fuqishme për të zhvilluar teoritë matematikore për botën.

Piktura që pasoi nga Newton-i ishte ai i një universi të rregulluar përsosmërisht nga parime matematikore që janë të kapshme nga mendja njerëzore. Shkenca tani ishte bërë empirike, përvoja ose observimi ishte metoda që duhej ndjekur, e jo konsultimi “shkencor” me autoritetet fetare që diktonin edhe çështjet shkencore.

Kur Edmond Halley, astronomi dhe matematikani anglez, përdori teorinë e Newton-it për të parashikuar shfaqjen e një komente, ajo u lartësua si arritja më e madhe që një mendje njerëzore kishte mundur të arrinte në tërë historinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore