Lajme

3 persona ranë në Lepenc, Sveçla: 30 pjesëtarë të kërkim shpëtimit po i kërkojnë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se 30 pjesëtarë të policisë, FSK-së dhe vullnetarë profesional të kërkim shpëtimit të Maqedonisë së Veriut, janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e tre personave që kanë rënë në lumin Lepenc të shtunën.

“Aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident dhe përkundër të gjitha sfidave, kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të kemi rezultate sa më të shpejta”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, të shtunën në orët e pasdites pas një aksidenti në komunikacion, një veturë me targa të Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc, derisa në veturë ndodheshin katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova.

“Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës. Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore