Lajme

3 milionë euro borxh ndaj “KRU Prishtina”, qytetarët nuk paguajnë shërbimet


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “KRU Prishtina

Periudha e pandemisë ka vështirësuar zhvillimin financiarë të kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Qytetarët e komunës së Prishtinës, Obiliqit, Shtimes, Fushë Kosovës dhe Podujevës, të cilët furnizohen me ujë nga kjo kompani, nuk paguan shërbimet e marra. Kështu borxhi është rritur.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit “KRU Prishtina”, Sokol Xhafa, në një intervistë për Albanian Post, ka treguar se borxhlinjtë më të mëdhenj janë shfrytëzuesit e amvisërisë.

“Vetëm gjatë periudhës së pandemisë, ose le të themi gjysma e vitit 2020 e deri më tani është afërsisht 3 milionë euro borxh i grumbulluar, shumica vjen nga amvisëria”, ka treguar Xhafa.

Por shuma e këtij borxhi është dhe më e madhe, nëse kalkulohen shërbimet e pa paguara nga qytetarët që nga paslufta (viti 2000).

“Nëse flasim për borxhin e grumbulluar që nga pas lufta është mbi 45 milionë euro”.

Kjo ndërmarrje publike është duke pasur probleme po ashtu me keqpërdorimin e ujit të pijes.

Sipas Xhafës, inspektorët hasin në keqpërdorime edhe me ujitjen e hapësirave gjelbëruese.

“Për fat të keq çdo ditë hasim në kyçje ilegale, çdo ditë hasim në keqpërdorues, ka edhe të atillë që përmes ujëmatësit, por e përdorë qoftë për të fresku pjesën e rrugës ose për të ujitur gjelbërimin gjë e cila është e ndaluar dhe pikërisht për këtë shkak me qëllimin që të aplikohen edhe gjobat mandatorë ndaj keqpërdorues të tillë”.

“Neve po na shoqërojnë inspektorët komunale por edhe disa raste edhe Policia e Kosovës”, ka shtuar ai.

Xhafa tregon se si K.R.U “Prishtina” nuk pret që ti realizoj të gjitha borxhet.

“Sa i përket planit strategjikë le të themi keqpërdorimit në një mënyrë ose në tjetrën që të bëhet zero është e pa mundur, sepse qenia njerëzore fatkeqësisht vet ne si popull si konsumatorë jemi të prirë për të keqpërdorë. Normalisht ndërmarrja jonë ka strategji për reduktim të humbjeve e që në kuadër të saj është edhe pjesa e ndalimit të keqpërdorimeve”, u shpreh ai.

Keqpërdoruesit e ujit dhe ata që bëjnë kyçje ilegale mund të dënohen edhe me burgim.

“Ne si ndërmarrje, nuk lejohet që të japim gjoba mandatore direkt në teren, ne ju japim vërejtje, dhe nëse e shohim që në vazhdimësi janë probleme të tilla, atëherë bashkë me inspektoratet komunale dhe me policinë aplikohen gjoba ndaj tyre”.

“Ne si ujësjellës nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, por sipas kodit penal janë nenet brenda për brenda Kodit Penal të Republikës së Kosovës, keqpërdorimi i ujit respektivisht vjedhja, kyçjet ilegale, ndërhyrja në infrastrukturë, nënkupton dhe paraqet vepër penale e cila është e dënueshme deri në 3 vite burg”.

Xhafa ka treguar se kanë shtuar numrin e inspektorëve në terren, si rezultat edhe rastet janë shtuar.

“Çdo ditë janë me nga dhjetëra raste të cilat detektohen në teren, sjellin lëndët këtu dhe nga zyra ligjore iniciohen për në institucionet përkatëse, respektivisht në Prokurori për veprat të cilat i bëjnë”.

Ai më tej ka bërë të ditur se ka bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e komunave të cilët i furnizojnë me ujë.

“Kemi filluar me komunën e Podujevës me të cilët kemi hasur në mirëkuptim dhe na kanë përkrahë në aspektin e nxjerrjes së inspektoratit së bashku me neve. Një inspektorë i komunës shoqëron inspektorët tanë në teren për të parandaluar keqpërdorimet, pastaj ka vazhduar Komuna e Obiliqi edhe Komuna e Shtimes bashkë edhe me pjesën e Fushë Kosovës. Dalë nga dalë me nivel lokale po mundohemi t’i ngrisim ose të rritet numri i vetë inspektorëve në teren”.

Xhafa apelon tek qytetarët për të kryer obligimet që kanë ndaj kompanisë K.R.U “Prishtina”, sepse ofrojnë furnizim me ujë të pijes për 24 ore.

“Përjashtim zona të vogla të cilat herë pas herë shfaqen probleme, por le të themi në 97 -98 për qind të kohës konsumatori ynë furnizohet 24 orë me ujë, por e keqja është edhe pagesa nuk po reflektohet por edhe keqpërdorimet po janë të mëdha”, ka thënë për fund Sokol Xhava, Ushtruesi i detyrës së kryeshefit “KRU Prishtina”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore