Shqipëria

3 humbje jete dhe 91 raste të reja me Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit, tre pacientë kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 91 qytetarë në Shqipëri.

Gjatë muajit prill dhe në vijim situata është paraqitur drejt rënies përsa i përket rasteve të reja dhe humbjeve të jetës.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 111 pacientë. 17 prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët gjashtë ndodhen në intubim.

Janë kryer 2 mijë e 818 testime dhe janë shëruar 894 qytetarë.

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 556 mijë shqiptarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se mbi 100 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 730 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Mbrëmjen e 4 majit, 11 mijë e 700 doza të tjera të vaksinës Pfizer.

Manastirliu bëri me dije se 7 mijë e 20 doza janë nga kontrata e qeverisë  shqiptare me kompaninë Pfizer dhe pjesa tjetër 4 mijë e 680 nga marrëveshja me Bashkimin Europian (BE).

Nga kjo skemë Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Më 5 maj u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku la në fuqi masat e marra më përpara për sa i përket fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Komiteti ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14-ditore me dy shtetet fqinje, Maqedoni e Veriut dhe Greqi.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore