Lajme

21 mijë lëndë të pa zgjidhura për njohje të 20 për qindëshit nga privatizimi


Protesta e ish-punëtoreve të “Rilindjes”, para objektit të Qeverisë së Kosovës(ish objekti i “Rilindjes”)

Zeqir Bekolli, ish punëtor i “Rilindjes” është duke pritur ta gëzojë të drejtën për 20 për qindëshin.

Por, kjo e drejtë atij e shumë ish punëtoreve të tjerë u është mohuar.

Bekolli bashkë me ish-kolegët e tij, ka protestuar para disa dite, duke kërkuar që të mos i mohohet e drejta që ia përcakton ligji pas privatizimit të ndërmarrjeve.

Bekolli ka thënë për Albanian Post, se janë përzënë nga puna nga administrata e UNMIK-ut, dhe më pas u është mbyllur gazeta.

“Është njëra nga protestat që kemi ngrit zërin për punëtorët e ish-gazetës ‘Rilindja’ që nga koha kur është mbyllur gazeta nga UNMIK-u dhe jemi përzënë nga puna. Ne vazhdimisht kemi kërkuar njohjen e të drejtës për 20 për qindëshin”, ka thënë Bekolli për Albanian Post.

Bekolli thotë se qeveria Kurti nuk i ka pritur në takim për t’i dëgjuar hallet e tyre, por shpresojnë që një ditë kjo do të ndodhë.

“Me qeverinë Kurti kemi bërë dy kërkesa, një te ministri i financave dhe një te kryeministri, por nuk kemi marr asnjë përgjigje dhe nuk jemi pritur në takim. Ne do të kërkojmë nga qeveria t’i kryejnë obligimin e tyre. Ne do të vazhdojmë me protesta, që do të jenë më masive, që zëri i protestës të jetë më i fuqishëm dhe ta detyrojmë Qeverinë që ta bëj ndryshimin e ligjit”.

“Ne e kemi bërë një marrëveshje me AKP që në momentin që mjetet derdhen në xhirollogarinë e AKP, kjo e fundit i shpërndan mjetet, sa i përket AKP dhe neve gjithçka është gati, vetëm po presim takim nga ministri i Financave ose kryeministri, nëse nuk na pranon detyrohemi që të protestojmë”, jka thëënë ndër të tjera ai.

Zvarritja e shpërndarjes së 20 për qindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuar po konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Një numër i madh i këtyre ish-punëtorëve që iu shitën fabrikat janë duke pritur ta gëzojnë të drejtën e tyre për 20 për qindëshin.

Problemi kryesor në vonesat e shpërndarjes së 20 për qindëshit, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e cila ka shumë ankesa që nuk po arrin t’i zgjidh në kohë.

Sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, ka shumë punëtorë të cilët po vdesin, e nuk po arrinjnë ta realizojnë të drejtën e tyre.

“Ka mjaft punëtorë të cilët për fat të keq janë në amshim dhe s’kanë mund ta marrin 20%, por nuk dihet numri i saktë”, tregon Ajdini për Albanian Post.

Sipas Ajdinit, nuk dihet saktë sa punëtorë kanë përfituar nga 20 për qindëshi deri tani.

“Numri i punëtorëve është relativ, sepse askush nuk e dinë se sa punëtorë kanë përfituar nga 20 për qindëshi, sepse deri më tani janë shpërnda 151 milionë e 372 mijë e 509 euro për 20 për qindëshin”.

Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme janë duke pritur 21 mijë lëndë të pazgjidhura, bënë të ditur Ajdini.

“Të pashpërndara në Dhomën e Posaçme janë 21 mijë lëndë që presin të realizohet e drejta e tyre. Janë edhe 13 Ndërmarrje Shoqërore, të cilat akoma nuk i kanë të përgatitura listat fillestare për 20 për qindëshin”.

“Në Dhomën e Posaçme deri më tani janë lëshuar 292 vendime të plotfuqishme lidhur me ankesat e punëtorëve”, ka bërë të ditur Ajdini.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se nga monitorimi sistematik i sistemit të drejtësisë IKD ka publikuar edhe raportin lidhur me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme por edhe vonesat në trajtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit.

Sipas tij, vonesat janë duke u shkaktuar nga planifikimi i keq, dhe një pjesë të fajit ia hedh edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Përderisa, problemet kryesore në Gjykatën e Apelit janë të shkaktuara nga mos planifikimi i duhur dhe keq administrimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës duke injoruar kërkesat e Kryetarit të kësaj gjykate për të plotësuar numrin e gjykatësve në këtë gjykatë, kurse problemet në Dhomën e Posaçme janë probleme sistematike të viteve të fundit kur kjo gjykatë ka qenë për një kohë të gjatë pothuajse jo funksionale”, thotë Miftaraj për Albanian Post.

Drejtori i IKD-së, konsideron se “këto vonesa ndikojnë në efikasitet dhe vonesa në trajtimin e lëndëve që përkthehet në shkelje te të drejtave dhe lirive të njeriut për proces gjyqësor brenda afatit të arsyeshëm kohor”.

Sipas një rregulloreje të AKP-së, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve, u takojnë punëtorëve.

AKP është institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që është marr me privatizimin e ndërmarrjeve në Kosovë.

Ndërsa në Kuvendin e Kosovës me 65 vota për, 2 kundër dhe asnjë abstenimi është shkarkuar Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Po ashtu, ky vendim kishte nxitur debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës ndërmjet opozitës dhe Qeverisë.

Kryeministri, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit ku ishte duke u diskutuar për shkarkimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte deklaruar se duhet të shuhet për shkak të “vjedhjeve”.

“Kanë vjedhur me paga e privatizime e janë paguar për të vjedhur. Kjo duhet të merr fund, e me rroga shumë të larta për të keqen e madhe për Kosovën e pasluftës. Kjo është arsyeja pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, kishte thënë Kurti.

Kurti, opozitës: Jeni të paaftë, s’dini të bëni kritikë – a doni t’iu mësoj?

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore