Shqipëria

’21 janari’, Rama: Drejtësia vonon, por nuk harron


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në median sociale Facebook ka përkujtuar protestën e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.

Për Ramën drejtësia vonon, por nuk harron.

“Nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan kryeministrin duke theksuar se ka pasur shenja pozitive nga drejtësia e re.

Deri më tani nga institucionet e drejtësisë është bërë me dije se Prokuroria ka nisur hetimet për vrasjen e vetëm dy qytetarëve. Kjo, pasi për çështjet e dy të tjerëve hetimet janë mbyllur dhe ka të dënuar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e njërit prej tyre, Aleks Veizit më herët njoftoi se ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore