Lajme

“20 minuta secili” – Kurti e Vuçiç përfundojnë takimet me Macron, Scholz e Meloni


Ilustrim

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel kanë takuar ndarazi, udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të krerëve të 27 vendeve anëtare të BE-së të enjten në kryeqendrën evropiane në Bruksel.

I pari i cili takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ishte kryeministri Kurti.

Takimi zgjati rreth 20 minuta.

Pas largimit të Kurtit, në sallën brenda hotelit ku u mbajt takimi, hyri presidenti Vuçiç.

Vuçiç, njëjtë si Kurti, takoi Scholz, Macron e Meloni.

Edhe takimi mes tyre zgjati rreth 20 minuta.

As Kurti e as Vuçiç nuk u deklaruan për media.

Në takimet të pranishëm ishin edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ndërkohë, pak para takimit, i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak deklaroi se ka pritshmëri të mëdha nga këto takime bilaterale.

Në anën tjetër zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur “Pesëshja e Madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, deklaroi Stano.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Takimet bilaterale në Bruksel vijnë pas vizitës së “Pesëshes së madhe” në Prishtinë e Beograd, me 21 tetor ku u paraqit një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe burimet e Albanian Post brenda procesit negociator, tregojnë që me konfirmimin publik për ta pranuar propozimin evropian për statutin e Asociacionit, si një bazë e mirë për negociata të mëtejme, Qeveria e Kosovës ka bërë hapin e parë drejt zbatimit të hapave të paraparë në planin e BE-së për zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes së Ohrit.

Sekuenca e parë fillon me veprimin e Kosovës: “fillimi i procesit të negociatave për Statutin e instrumentit të vetë administrimit për serbët e Kosovës”.

Ky veprim i palës kosovare duhet të ketë përgjigjen me veprimin konkret të Serbisë, konkretisht, “Serbia nuk insiston më në përdorimin e yllit dhe fusnotës ose pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale”.

Sipas burimeve të AP, ndërmjetësuesit synojnë që të përmbyllin negociatat për Statutin para samitit të fund vitit të liderëve të shteteve të BE-së (sekuenca e dytë).

Të njëjtat burime thonë se në fund të këtij procesi Kosova do të marr përsipër autorësinë e draft-statutit përfundimtar.

Në ndërkohë, siç shpjegojnë burimet e AP, po punohet intenzivisht që në samitin e paqes në Paris, me 10 dhe 11 Nëntor, të ketë një takim në mes të Kurtit dhe Vuçiç, në prani të liderëve kryesorë evropianë.

“Nëse ndodh, fakti që ndodh në samitin francez të paqes, ky takim do ta ketë një rëndësi të madhe simbolike që shënon rikthimin e palëve në rrugën e paqes”, thotë burimi i AP-së.

Gjithashtu, këto burime ndërkombëtare shpjegojnë që themelimi faktik i Asociacionit mund të vonojë për disa muaj për shkak të nevojës që fillimisht të organizohen zgjedhje të reja në komunat veriore.

Pra, duhet të ketë një qetësim të përgjithshëm të situatës, vendosje të kryetarëve që gëzojnë mbështetjen e popullsisë vendase, dhe më pas ta vazhdohet me themelimin faktik të Asociacionit, si hap i rëndësishëm në procesin e re-integrimit të komunitetit serb në rendin juridik dhe politik të Kosovës.

Para takimeve në Bruksel, krejt çfarë do t’i kërkohet Kurtit nga liderët evropianë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore