Lajme

18 të vdekur për shtatë muaj në vendin e punës – çështja s’po trajtohet nga pushteti


Foto: Albanian Post

Në tetë muajt e fundit kanë vdekur 18 persona në vendin e punës, gjashtë persona më shumë që nga muaji qershor atëherë edhe kur kishte raportuar Albanian Post për një rekord të zi qysh nga paslufta në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke thënë se numri më i madh i rasteve kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë.

“Realisht është një çështje e keqe që po ndodh tek ne në vazhdimësi dhe ne si institucione nuk jemi duke bërë atë çka duhet të bëjmë, po flas si Qeveri, si Inspektorat edhe si pronarë të kompanive”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, vdekje në vendin e punës ka kudo në botë, por jo në numër kaq të madh sa në Kosovë.

Ndërsa, ka pohuar se familjarët e viktimave nuk marrin asnjë mbështetje financiare nga shteti.

“Në vendet e tjera në momentin kur ndodhin këto raste shteti ka një stimulim, ka një mbështetje financiare për këto familje. Tek ne, në moment kur vdes punëtori ka përfunduar gjithçka”, ka deklaruar ai për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Po ashtu, ka thënë se si sindikatë kanë bërë kërkesa në vazhdimësi te pushteti që kjo çështje të trajtohet.

“Zyrtarisht kemi kërkuar edhe nga ministri i Financave dhe nga kryeministri që të trajtohet kjo temë sepse është temë shumë e rëndë kur punëtorët në moshën me të re humbin jetën”, ka deklaruar ai duke shtuar se kjo është “ndër arsyet përse një pjesë e qytetarëve po duan të ikin nga Kosova”.

“Nuk jemi në nivelin e duhur, kjo vjen si pasojë sepse një pjesë e madhe e punëtorëve të kualifikuar kanë lëshuar Kosovën dhe këto vende të punës po i mbulojnë punëtorët e pakualifikuar, punëtorët të cilët nuk e njohin mirë rrezikshmërinë e punës dhe fatkeqësisht jemi këtu ku jemi”.

Vdekjet, që kanë ardhur për shkak të dështimit të kompanive të ndërtimit që të sigurojnë masat e duhura mbrojtëse për punëtorët, dënohen nga shteti me shifra qesharake.

Kompanitë ku punëtorët humbin jetën dënohen më së shumti deri 2 mijë euro.

Siguri më shumë nga punëdhënësit e reagim më të madh nga shteti kërkon tash e dy dekada Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPPSPK), por kot.

Albanian Post në muajin qershor kishte trajtuar një artikull për vdekjet e punëtorëve në vendin e punës.

12 të vdekur në vendin e punës për gjashtë muaj, rekord i zi që nga paslufta –një jetë “kompensohet” me 2 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore