Shqipëria

Rriten rastet/ 16 vdekje nga Covid-19 në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, 16 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 681 qytetarë në Shqipëri.

Ditën e sotme janë vaksinuar 942 qytetarë. Deri më tani janë kryer 23 mijë e 633 vaksina anti-Covid. Procesi i vaksinimit ka vijuar në qendrat përkatëse në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar më herët, se po përfundojnë marrëveshjen për grantin 11 milionë euro për mbështetjen me vaksina, në vijim të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu ajo ka theksuar mbërritjen e 38 mijë e 400 doza të vaksinave anti-Covid nga AstraZeneca gjatë kësaj dite.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 506 pacientë. 30 pacientë ndodhen në terapi intensive, nga të cilët 10 janë të intubuar.

Janë kryer 3 mijë e 340 testime dhe janë shëruar 872 qytetarë.

Kujtojmë se, më 11 mars, u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili deklaroi se mbeten në fuqi masat që u morën më 11 shkurt, për parandalimin e coronavirus-it.

“Kemi vendosur të mbajmë për një periudhë kohore dyjavore orën policore 20:00-06:00. Mësimi vijon online, fluturimet direkte me Britaninë mbeten të pezulluar”.

Gjithashtu është konfirmuar mutacioni britanik në Shqipëri. Ku sipas ekspertëve ky mutacion shton transmetueshmërinë e virusit.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish thirrje që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore