Shqipëria

15 urdhër-arreste dhe operacione policore në tre qytete, çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit


Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) kanë zhvilluar një mega-operacion të shtrirë në disa qytete të vendit gjatë orëve të fundit duke nisur nga mbrëmja e 26 korrikut.

Në pranga kanë përfunduar biznesmenë, ish-zyrtarë të Policisë, prokurorë dhe anëtarë të bandave kriminale.

Operacionet përfshinë kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Kukës, pasi Policia e Shtetit dhe SPAK kryen përgjime si pasojë e zbërthimit të aplikacionit të komunikimit “SKY”.

Autoritetet kanë arrestuar biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish drejtorin e Forcave Operacionale, Oltion Bistri, ish policin Ardit Hasanbega, drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita si dhe Astmer Bilalin, pjesë e grupit të Bajrave.

Dyshohet se ndaj tyre rëndojnë akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre si dhe grup i strukturuar kriminal.

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla përshëndeti operacionin e organizuar gjatë mbrëmjes së djeshme të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balla deklaron se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligj-zbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.

“Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligj-zbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë. Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit”, u shpreh Balla.

Zyrtari shprehu besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligj-zbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Oltion Bistri ishte emëruar si Specialist në Drejtorinë e Krimeve në Volum, duke u shkaktuar si Shef i Operacionales, detyrë që e mori në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Me ndryshimet e reja në Policinë e Shtetit drejtoria e Krimeve është ndarë në dy sektorë, në Volum dhe të Rënda. Ndarja bëhet sipas rëndësisë së kriminalitetit.

Oltion Bistri në vjeshtën e vitit 2021 ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Policisë e Durrësit.

Bistri ka qenë gjithashtu edhe shef i Komisariatit nr.2 në Tiranë.

Policia ka arrestuar edhe Astmer Bilalin në Shkodër gjatë këtij operacioni.

Bilali njihet si pjesë e grupit të Bajrave në Shkodër dhe deri pak kohë më parë ishte në burg i akuzuar për plagosje.

Mega-operacion policor në disa qytete: Arrestohen zyrtarë të Policisë dhe prokurorë të implikuar me krimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore