Shqipëria

Mega-operacion policor në disa qytete: Arrestohen zyrtarë të Policisë dhe prokurorë të implikuar me krimin


Policia e Shtetit ka organizuar një mega-operacion në disa qytete të vendit (Tiranë, Shkodër dhe Kukës) ku kanë mbetur të arrestuar policë, një biznesmen dhe prokurori i Kukësit.

Kjo, në kuadër të një bashkëpunimi të SPAK-ut dhe autoriteteve franceze të cilat kanë zbërthyer aplikacionin “SKY” të përdorur nga bota e krimit.

Në pranga ka përfunduar biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri i shkarkuar një javë më parë dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita.

Sipas të dhënave paraprake nuk bëhet e ditur menjëherë se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar.

Oltion Bistri në vjeshtën e vitit 2021 ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Policisë e Durrësit si dhe ka drejtuar Komisariatin Nr.2 në Tiranë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur operacionin e organizuar gjatë mbrëmjes së 26 korrikut të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë si edhe prokurorë të implikuar me krimin.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla deklaron se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu Balla ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore