Lajme

“1244 në draft-statut u përdor si batanije e sigurisë për Beogradin”, intervistë me Jolyon Naegele, Koordinatori i parë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë


Ilustrim: Jolyon Naegele

Disa nga shtetet hartuese të Rezolutës 1244 prapa dyerve të mbyllura argumentuan se, si rezultat i shpalljes së pavarësisë së Kosovës autoriteti i saj pushoi së pasuri fuqi, por kjo rezolutë së fundmi është cituar në një dokument mjaft të rëndësishëm, siç është ai i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas ish zyrtar i OKB-së në Kosovë, Jolyon Naegele, është përdorur në këtë dokument me të vetmin funksion – si një batanije sigurie nga Beogradi.

“Rezoluta 1244 (1999) duhet rilexuar pasi qëllimisht i referohet Kosovës si krahinë e RFJ-së dhe jo e Serbisë. Sigurisht, Serbia pretendon se meqenëse është shtet pasardhës i RFJ-së, Kosova është Serbi, por këtë pikëpamje nuk e ka asnjë nga shtetet anëtare të G-7 (siç dihet që kur Rusia u përjashtua nga G-8 pas pushtimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës në 2014)”, thotë Naegele, në një intervistë për Albanian Post.

Koordinatori i parë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të UNMIK-ut në vitin 2003, duke analizuar rrjedhën e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndër vite, konstaton se as Kosova e as Serbia nuk janë të sinqertë me njëra-tjetrën apo me komunitetin ndërkombëtar duke shprehur mungesë të vullnetit të mirë.

Një fenomen i tillë, sipas Naegele, nuk është shfaqur viteve të fundit, por ka ekzistuar qysh nga fillimi i dialogut të drejtpërdrejtë në Vjenë 20 vjet më parë.

“Me disa përjashtime, kështu ka ndodhur të paktën që nga fillimi i dialogut të drejtpërdrejtë në Vjenë 20 vjet më parë nga Ibrahim Rugova, Vojislav Kostunica, komisionerët e BE-së Chris Patten dhe Javier Solana, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lord George Robertson, Drejtorët e Grupit të Kontaktit për Ballkanin dhe Shef i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Harri Holkeri. Patten, Solana dhe Robertson u befasuan veçanërisht nga mungesa e vullnetit të mirë dhe refreni i vazhdueshëm i argumentimit të vjetruar nacionalist”.

Naegele, beson se ekziston ende një frikë e përbashkët midis aktorëve politikë në Prishtinë dhe Beograd se kompromisi në dialog mund të perceptohet si i barabartë me tradhti dhe rrezikon të jetë, të paktën, politikisht fatal.

Intervista e plotë e Jolyon Naegele për Albanian Post

Albanian Post: Më 24 shtator, një grup terrorist hyri ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një pjesëtar të saj. Kosova fajësoi Serbinë për sulmin, duke theksuar se Beogradi zyrtar u përpoq të “aneksonte të gjithë Veriun e Kosovës”, por Beogradi tha se nuk kishte gisht në të. Si e komentoni gjithë këtë situatë, a dyshoni se ngjarja në Banjë mund të eskalojë në një konflikt më të gjerë?

Jolyon Naegele: Dyshoj shumë se incidenti në Banjë ishte një përpjekje e Beogradit për të “aneksuar tërë Veriun e Kosovës”. Incidenti ishte një provokim i sulmuesve serbë. Kosova ka qenë tradicionalisht në shënjestër të provokimeve para zgjedhjeve në Serbi dhe Kosovë në një përpjekje populiste për të ngjallur emocione te votuesit serbë se Serbia është viktimë, se interesat serbe janë nën kërcënim dhe se uniteti i të gjithë serbëve është zgjidhja e vetme. Motoja kombëtare thotë gjithçka “Vetëm bashkimi e shpëton serbin”. Mund të mendohet që sulmuesit dhe/ose mbështetësit e tyre janë inkurajuar nga një vend i tretë i cili kërkon të bashkohet me interesat serbe duke përfituar nga paqëndrueshmëria rajonale. Si zakonisht, Beogradi zgjodhi të rrisë temperaturën politike duke vendosur trupa në kufirin me Kosovën. E kam humbur llogarinë se sa herë Beogradi ka luajtur të njëjtën lojë të luftës së nervave në kufirin me Kosovën që nga viti 2000. Sigurisht, KFOR-i i udhëhequr nga NATO-ja duhej të përgjigjej duke vendosur forcat e tij. Askush me mendje të shëndoshë nuk mund të presë që presidenti Vuçiç të nis një sulm të armatosur për të minuar mandatin ose vendosmërinë e NATO-s në Kosovë, edhe nëse ky është imazhi që ai mund të dëshirojë të lërë mbresa te votuesit serbë.

Albanian Post: Qasja e BE-së të jep përshtypjen se dëshiron të individualizojë përgjegjësinë në nivel të zyrtarëve të institucioneve serbe për sulmet terroriste, duke injoruar përgjegjësinë shtetërore të Beogradit dhe Vuçiçit. Si duhet t’i qaset komuniteti ndërkombëtar Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjeve të 24 shtatorit?

Jolyon Naegele: Caktimi i saktë i përgjegjësisë individuale përballë një muri mohimesh dhe mungesës së transparencës në linjat e komandës dhe kontrollit midis terroristëve ose kryengritësve është e vështirë, por jo domosdoshmërisht e pamundur. Nuk ka gjasa që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të ketë njohuri paraprake për operacionin. Megjithatë, nëse shefi i atëhershëm i Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA), Aleksandar Vulin, e dinte është një pyetje krejtësisht tjetër. Ose ai e dinte paraprakisht sulmin dhe nuk arriti ta ndalonte ose madje e mbështeti, duke rezultuar në fatalitete të pakuptimta, ose nuk e dinte, gjë që do të konfirmonte se ai ishte i pakualifikuar për të drejtuar BIA-n. Secili prej këtyre shpjegimeve duhet të mjaftojë për të kuptuar shkarkimin e Vulin-it më 3 nëntor.

Albanian Post: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në parim pranoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër Presidentin i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po e fajëson Kurtin duke thënë se po bën bllofe, pasi nuk do ta zbatojë këtë meaknizëm në terren, a janë palët e sinqerta në zbatimin e marrëveshjes?

Jolyon Naegele: Asnjëra palë nuk është e sinqertë me njëra-tjetrën apo me komunitetin ndërkombëtar për një sërë faktorësh, njëri prej të cilëve është mungesa e vullnetit të mirë. Me disa përjashtime, kështu ka ndodhur të paktën që nga fillimi i dialogut të drejtpërdrejtë në Vjenë 20 vjet më parë nga Ibrahim Rugova, Vojislav Kostunica, komisionerët e BE-së Chris Patten dhe Javier Solana, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lord George Robertson, Drejtorët e Grupit të Kontaktit për Ballkanin dhe Shef i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Harri Holkeri. Patten, Solana dhe Robertson u befasuan veçanërisht nga mungesa e vullnetit të mirë dhe refreni i vazhdueshëm i argumentimit të vjetruar nacionalist. Unë besoj se ekziston ende një frikë e përbashkët midis aktorëve politikë në Beograd dhe Prishtinë se kompromisi mund të perceptohet si i barabartë me tradhti dhe rrezikon të jetë, të paktën, politikisht fatal. Arsyet tjera për mungesën e progresit përfshijnë asimetrinë legjislative/kushtetuese për Kosovën në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të ashtuquajturën Zajednica, si dhe garancitë që Beogradi dhe liderët serbë të Kosovës supozohet se kanë marrë të paktën që nga shkurti 2008. Ajo kohë ishte në anën e tyre, që brenda 20 viteve situata ndërkombëtare do të bëhej më e favorshme për interesat e tyre, derisa ndikimi i Rusisë po zgjerohej.

Albanian Post: Draft-statuti i Asociacionit nuk është publikuar zyrtarisht, por në draftet që po qarkullojnë në media, e të cilët nuk po mohoen në mënyrë kategorike nga autoritetet, ka një referencë për Rezolutën 1244 të OKB-së. Rezoluta 1244 përmendet ne preambulën e draftit. Cili është komenti juaj për këtë? Me rezolutën 1244 në draft-statut apo kundërshtohet deklarata e pavarësisë e po kthehet Kosova në situatë para shpalljes së pavarësisë?

Jolyon Naegele: Referenca për 1244 funksionon si një batanije sigurie për Beogradin. Unë kam folur në disa raste me autorët e Rezolutës 1244, e cila u hartua me kujdes gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G-8 (SHBA, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Rusia dhe Australia) në Petersberg afër Bonit në maj 1999, pra gjatë sulmeve ajrore të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ). Rezoluta 1244 (1999) duhet rilexuar pasi qëllimisht i referohet Kosovës si krahinë e RFJ-së dhe jo e Serbisë. Sigurisht, Serbia pretendon se meqenëse është shtet pasardhës i RFJ-së, Kosova është Serbi, por këtë pikëpamje nuk e ka asnjë nga shtetet anëtare të G-7 (siç dihet që kur Rusia u përjashtua nga G-8 pas pushtimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës në 2014). Për më tepër, nga disa është argumentuar prapa dyerve të mbyllura se si rezultat i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, autoriteti rezolutës 1244 pushoi së pasuri fuqi më 17 shkurt 2008.

Albanian Post: Cili është mendimi juaj për problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë, a besoni se BE-ja ka kapacitetin e mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë problem?

Jolyon Naegele: BE-së i mungon kapaciteti i mjaftueshëm për t’i zgjidhur problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, para së gjithash për shkak të mungesës së vullnetit të mirë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mungesës së vullnetit apo paaftësisë së tyre politike për të përmbushur ato marrëveshje të cilat i kanë arritur gjatë dhjetë viteve të fundit. Për më tepër, mungesa e unitetit midis 27 shteteve anëtare të BE-së, pesë prej të cilave nuk e njohin Kosovën, dobëson edhe më tej pozitën e BE-së në trajtimin e Kosovës për një sërë çështjesh.

Albanian Post: Tash kur është krijuar një distancë nga koha që keni shërbyer si zyrtar i OKB-së në Kosovë, në një reflektim tuajin, çfarë mendoni se janë të arriturat më të mëdha të Kosovës qysh nga paslufta, por edhe ngecjet më të mëdha?

Jolyon Naegele: Prishtina ka pësuar një transformim masiv për të mirë që nga viti 1999. Infrastruktura e Kosovës sa i përket rrugëve dhe energjisë është pakrahasueshëm më e mirë se para luftës, e lëre më në pasojat e menjëhershme të luftës kur ndërprerjet e energjisë elektrike ishin dukuri e përditshme. Pjesa më e madhe e Kosovës, veçanërisht në jug të Ibrit, ka qenë e sigurt për vite me radhë. Prishtina është një qytet shumë më i sigurt se shumë qytete me përmasa të krahasueshme në Evropë. Pjesa më e madhe e trashëgimisë arkitekturore të Kosovës po mbrohet mirë. Që pas disa ditësh, qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza në BE. Aeroporti i Prishtinës është i lidhur mirë si me qendrat ndërkombëtare të aviacionit ashtu edhe me qendrat kryesore të diasporës kosovare-shqiptare në Evropën Perëndimore.

Në anën negative – ndotja e ajrit, ujit dhe tokës mbetet një shqetësim jashtëzakonisht serioz shëndetësor, për mendimin tim, është bërë kërcënimi më serioz për shoqërinë kosovare – më i madh edhe se siguria. Shqetësuese është edhe mungesa e progresit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më duket se disa liderë serbë ende nuk humbasin asnjë mundësi për të ngjallur frikë dhe mosbesim te serbët e Kosovës, veçanërisht ata në Veri, duke përsëritur vazhdimisht mantrën se Kosova nuk është e sigurt, se është shumë e rrezikshme që refugjatët të kthehen. Kur flasin para një audience ndërkombëtare, ata e portretizojnë Kosovën në mënyrë të rreme si dritën më negative të mundshme, siç është sesioni më i fundit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën më 23 tetor. Shkalla e papunësisë në Kosovë po përmirësohet ngadalë, por është ende pothuajse dyfishi i mesatares për vendet e tjera post-socialiste në Evropë. Gjithashtu zhgënjyese, por jo shumë befasuese, është se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfida të rëndësishme siç ndodhin në pjesën më të madhe të Evropës Jugore dhe Lindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore