Lajme

12 qershori ende festë memoriale në Kosovë


12 Qershori në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Këtë 12 qershor u kremtua 22 vjetori i çlirimit, datë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festa zyrtare, 12 qershorin e njeh si ditë memoriale, madje nuk e njeh si ditë të çlirimit, por si ditë të paqes.

Mirëpo, sipas publicistit Halil Matoshi, dita e lirisë së Kosovës duhet të jetë 10 Qershori.

Në një intervistë për Albanian Post, Matoshi thotë se “kjo datë përmban brenda saj ngjarjet e kryengritjes, shpresës, dhe miqësisë së përhershme me Amerikën”.

Sipas Matoshit dita e 10 qershorit është dita kur rezoluta 1244 i hapi udhë NATO-s.

“Ditën e 10 Qershorit u aprovua Rezoluta 1244 më 1999 që i hapi udhë NATO-s (KFOR) me hy në Kosovë dhe po këtë ditë u nënshkrua Marrëveshja teknike-ushtarake në Kumanovë, që përcaktonte kushtet e kapitullimit të Serbisë”, tha Matoshi.

Për të përforcuar argumentin se pse duhet zyrtarizuar kjo datë Matoshi na jep edhe një argument shtesë, vizitën e ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush.

“Dhe ditën kur presidenti amerikan George W.Bush nga Shqipëria, shpalli më 2007 se Kosova është vend i pavarur”, ka thënë ai.

Matoshi thekson se kjo ditë ngjalli shpresën e bashkimit të shqiptarëve.

“Kur në Prizren është themeluar Lidhja Shqiptare, e cila mbas shumë kryengritjeve në Vilajetin e Kosovës, rezultoi me shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë”.

Ai shton se “10 Qershori është Dita Kombëtare e ringjalljes, lirisë, shtetit dhe miqësisë”!

Për Albanian Post, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Betim Gjoshi, 12 qershorin e konsideron si ditën më të rëndësishme në festat e Kosovës.

“12 qershori krahas 17 shkurtit dhe 28 nëntorit, janë datat më të rëndësishme për Kosovën por edhe për gjithë shqiptarët. Andaj, mendojmë që kjo datë duhet të jetë festë zyrtare”, ka deklaruar Gjoshi.

Edhe nga Partia Social Demokrate, 12 qershorin po e konsiderojnë si datë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.

“12 qershori për ne është nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Prandaj edhe duhet të jetë festë zyrtare”, thotë Zgjim Hyseni nga PSD.

Që 12 qershori të jetë festë zyrtare kërkohet që miratimi i këtij ligji të kaloj në Kuvend.

“1. Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë”, thuhet në nenin 81 të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq, në Ligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës të njëjtat klasifikohen në  festat zyrtare,  memorialë dhe ato komunale.

Festa zyrtare janë gjithsej 11, të cilat janë: Viti i Ri-1 dhe 2 janari; Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti; Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli; Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji; Dita e Evropës, 9 Maji; Bajrami i Madh, dita e parë; Bajrami i Vogël, dita e parë; Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor; Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar; Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve; Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës është ndërmarrë një nismë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, me iniciativë të komuniteteve jo-shumicë, megjithëse e njëjta ende është në procedurë të legjislativit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore