Shqipëria

1 qytetar humb betejën me Covid-19 dhe 57 raste të reja në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, një pacient ka humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 57 qytetarë në Shqipëri. Këto shifra shënojnë një rënie nga dita e mëparshme.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 107 pacientë. Tetë prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët dy janë të intubuar.

Situata në spitale shfaqet më e qetë dhe në rënie të dukshme.

Janë kryer 1 mijë e 952 testime dhe janë shëruar 963 qytetarë.

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta.

Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 596 mijë shqiptarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se mbi 100 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 760 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Më 5 maj u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku la në fuqi masat e marra më përpara për sa i përket fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Komiteti ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14-ditore me dy shtetet fqinje, Maqedoni e Veriut dhe Greqi.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore