Shqipëria

1 milion euro nga Shqipëria për qytetet e prekura gjatë tërmetit në Turqi dhe Siri


Për të mbështetur qytetet e prekura gjatë tërmetit shkatërrimtar në Turqi dhe Siri, Shqipëria ka akorduar një milion euro.

Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka marrë pjesë këtë të hënë të 20 marsit në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar nga Komisioni Evropian dhe nga presidenca suedeze.

“Ishim pranë miqve tanë që në momentet e para dhe po japim kontributin tonë edhe për rindërtimin e qyteteve të rrënuara. Të gjithë bashkë mund të lehtësojmë dhimbjen dhe të ndihmojmë në kapërcimin e kësaj situate”, ka shkruar ajo në një postim në mediat sociale.

Prej dy tërmeteve të 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me qendër në Kahramanmaraş, humbën jetën mbi 45 mijë njerëz, ndërsa u prekën mbi 13 milionë njerëz në 11 provinca, përfshirë provincat Hatay, Adana, Gaziantep, Diyarbakır, Adımayan, Malatya, Kilis, Osmaniye, Elazığ dhe Şanlıurfa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore