Lajme

Vazhdojnë negociatat për dinarin: Dy orë nga nisja e takimit trepalësh


Ilustrim: Besnik Bislimi, Mirosllav Lajçak dhe Petar Petkoviç

(Ky lajm është përditësuar)

Në Bruksel të Belgjikës, para dy orësh, nisi takimi trepalësh midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ku një ndër çështjet kryesore që do të negociohet është ndalimi i dinarit serb në Kosovë dhe rruga drejt zgjidhjes.

Për dallim nga praktika e mëparshme në procesin e dialogut, posaçërisht në nivel të kryenegociatorëve, ku emisari sllovak fillimisht zhvillonte takime të ndara me të dy delegacionet, pastaj kalonte në takime trilaterale pas gatishmërisë së palëve, këtë herë Lajçaku duket se nuk ka pasur nevojë për takime veç-e-veç sepse qëndrimet e të dy vendeve për dinarin dihen.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Megjithatë, përkundër se rreth dy orë kanë kaluar që nga nisja e takimit, ende nuk dihet se cilat janë propozimet. Gjithashtu, nuk dihet nëse Bislimi, Petkoviçi apo Lajçaku, do të prononcohen për media pas takimit.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi pas takimeve javën e kaluar se pret që në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për “propozimet konkrete dhe zgjidhjen afatshkurtër” për çështjen e dinarit, duke shtuar se takimi i javës së kaluar u shërbeu palëve të angazhuara në terren “për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

Në Bruksel vazhdon “kërkimi i madh” mbi “formulën e zgjidhjes” për “krizën e dinarit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore