Lajme

U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tre terroristëve për sulmin në Banjë


Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë , ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore