Shqipëria

Gonzato e quan Kushtetuesen ‘institucion kyç për demokracinë në Shqipëri’


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ku ka theksuar edhe mbështetjen e plotë për institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Gonzato shkruan se do të ketë bashkëpunim afatgjatë me Kushtetuesen.

“Diskutuam për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm në mbështetje të këtij institucioni kyç të sistemit demokratik të Shqipërisë”, shkruan ambasadori i BE-së në Tiranë.

Më herët, ishte kryetarja e Kushtetueses, Zaçaj, e cila ndau disa detaje nga takimi.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj.

Ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana e saj, Zaçaj u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Ndërkaq, Gonzato ka theksuar se një sistem drejtësie i përgjegjshëm dhe efikas, i cili e afron Shqipërinë akoma më shumë me Bashkimin Evropian është përpjekje kombëtare.

Ai i ka kujtuar edhe një herë strukturave shtetërore dhe politikës se duhet të kryejnë detyrat e shtëpisë, duke përmendur luftën kundër korrupsionit, si edhe vijimin e reformave, posaçërisht atë të drejtësisë.

Ambasadori theksoi se duhet shmangur presioni i politikës ndaj institucioneve të drejtësisë, teksa shprehu besimin e tij të plotë në këto organe.

“Jam këtu në Shkodër me studentë të Drejtësisë për të folur për sistemin e drejtësisë, reformën në drejtësi dhe rolin që ka edhe shoqëria civile. Reforma që u ndërmor në vitin 2016 është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve”.

Kështu përmendi ai fillimisht, përpara takimit.

Më tej, shpjegoi se qëllimi i reformës ishte pikërisht ai që t’u jepte njerëzve besim, besim te institucioni, besimi veçanërisht te drejtësia e Shqipërisë.

“Kjo është ajo që na duhet për të promovuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, të sigurohemi që njerëzit të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe të sigurohemi që njerëzit të marrin drejtësinë”, përmendi.

Në vijim, mori edhe disa pyetje, të cilat i shtjelloi:

Pyetje: A po ndikojnë rastet e korrupsionit?

Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate.

Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur. Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjelle.

Si po e përballon SPAK presionin e madh të politikës?

Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë.

A ka presion nga politika?

Nuk më takon mua ta them, por ai (Dumani) nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore