Lajme

Autorizimi i kryesues së delegacionit malazez në KiE për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës, DPS: A i mbështet Qeveria pikëpamjet e Knezheviç-it?


Millosh Nikoliç

Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi (DPS) – partia më e madhe opozitare – ka reaguar pasi që Partia Popullore Demokratike (DNP), ka autorizuar Maja Vukiçeviç-in, deputete e kësaj partie në kuvendin malazez, njëherit kryesuese e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Përmes zëdhënësit të saj, Millosh Nikoliç, DPS-ja ka kërkuar nga ekzekutivi malazez, që drejtohet nga Milojko Spajiç, që të tregojë qëndrimin e tij sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE, dhe se a është unike politika e jashtme malazeze, pasi që DNP-ja është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Nëse dikush nuk ka rrëmbyer Ministrinë e Punëve të Jashtme, ose nëse nuk është rikthyer në ambientet e fabrikës që sot, do të ishte e dobishme ta shpallni. A i mbështet Qeveria këto pikëpamje të [kryetarit të DNP-së, Milan] Knezheviç-it? A ka Mali i Zi një politikë të jashtme unike”, pyeti Nikoliç në rrjetin X.

Ndryshe, Partia Demokratike Popullore në Mal të Zi (DNP) – e njohur për orientimin e saj pro ruso-serb – ka autorizuar Maja Vukiçeviç-in, deputete e kësaj partie në kuvendin malazez, njëherit kryesuese e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Vendimi është marrë të shtunën në seancën e Komitetit Kryesor të DNP-së, e cila ka filluar me një minutë heshtje për shkak të sulmit terrorist në Moskë, në të cilin mbetën të vrarë mbi 100 persona.

“Në seancë u shpreh përkrahja e plotë për nënkryetaren Maja Vukiçeviç, kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të KiE, që të votojë kundër pranimit Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e DNP-së.

Kryesuesja e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të KiE autorizohet të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore