Lajme

Zyrtari i lartë amerikan ka biseduar me ndihmës të lartë të Putin-it


Këshilltari i lartë i Presidentit Biden për sigurinë kombëtare është angazhuar muajt e fundit në biseda konfidenciale me ndihmësit kryesorë të presidentit rus Vladimir Putin.

Kjo, në një përpjekje për të reduktuar rrezikun e një konflikti më të gjerë mbi Ukrainën dhe për të paralajmëruar Moskën kundër përdorimit të armëve bërthamore ose armëve të tjera të shkatërrimit në masë.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta amerikane “Wall Street Journal”, duke cituar burimet pranë qeverisë.

Më konkretisht, Jake Sullivan ka biseduar në mënyrë konfidenciale me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit rus, Mykola Patrushev dhe këshilltarin e presidentit rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, muajt e fundit.

Burimet e botimit amerikan thanë se qëllimi i këtyre bisedimeve ishte parandalimi i rrezikut të përshkallëzimit dhe mbajtja e hapur e kanaleve të komunikimit.

Vihet re se as Shtëpia e Bardhë dhe as Kremlini nuk i konfirmuan zyrtarisht këto biseda.

Në veçanti, Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar publikisht asnjë thirrje midis Sullivan-it dhe ndonjë zyrtari të lartë rus që nga marsi.

“Këto diskutime jo publike po zhvillohen në sfondin e një reduktimi të kontakteve tradicionale diplomatike midis Washington-it dhe Moskës dhe lë të kuptohet nga Putin dhe ndihmësit e tij se ai mund të përdorë armët bërthamore për të mbrojtur territorin rus”, thekson e përditshmja amerikane.

Shtëpia e Bardhë beson se mbajtja e një niveli të caktuar kontaktesh me Moskën “është e nevojshme për të arritur disa interesa të ndërsjella në fushën e sigurisë kombëtare”.

Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se Sullivan po shtyn për kontakte me Rusinë, edhe nëse zyrtarë të tjerë të lartë besojnë se bisedimet në situatën aktuale diplomatike dhe ushtarake nuk do të jenë të frytshme.

Zyrtarët nuk dhanë data të sakta apo numrin e thirrjeve dhe as nuk thanë nëse ato ishin produktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore