Shqipëria

Zyrtarët parashikojnë rritje pagash për policët dhe ushtarakët


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftuan se në buxhetin e vitit 2023 është parashikuar rritje pagash për policët dhe ushtarakët.

Fillimisht, Çuçi deklaroi se do të ketë 15 për qind rritje për rreth 74 për qind të trupës së Policisë së Shtetit.

Rritja do të prekë punonjësit e nivelit bazë: Inspektor, Inspektor i nivelit të parë, Inspektor i nivelit të dytë.

Ndërsa për gradat Komisar e Nënkomisar, ku janë rreth 20 për qind e trupës të punonjësve me grada, rritja e pagave do të jetë në nivelin 7 për qind, theksoi ministri i Brendshëm.

Po kështu rritje pagash me 7 për qind do të ketë për 1 mijë e 300 punonjësit e Gardës së Republikës, po kaq edhe për zjarrfikësit.

Ndërsa për punonjësit e AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), rritja është mesatarisht në masën 13 për qind për 86 për qind të punonjësve.

Sa i përket investimeve në teknologji për sistemet digjitale dhe mbrojtjen nga sulmbet kibernetike, ministri Çuçi shtoi se fondi është rritur me 7.6 herë.

Peleshi zbuloi sakaq se nga janari i vitit 2023 pagat e ushtarakëve do të rriten me 7 për qind.

Sipas zyrtari të Mbrojtjes, nga kjo pagë pritet të përfitojnë 7 mijë ushtarakë.

“Rreth 7 mijë ushtarakë do të përfitojnë një rritje të re të pagës. Nga 1 korriku i këtij viti të gjithë ushtarakët marrin 30 për qind më shumë pagë.  Në janar 2023, ky buxhet do të shtohet me 7 për qind”, theksoi Peleshi.

Kuvendi vijon seancën maratonë për buxhetin e vitit 2023

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore