Sport

Zyrtare, Gjykata e Madrid-it mbështet tre klubet themeluese të Superligës Europiane


Përgjatë ditës së premte, Gjykata e Madridit, ku tre klubet Barcelona, Juventus-i dhe Real Madrid-i kishin depozituar ankesat në lidhje me presionin që iu bënte UEFA për çështjen e “Superligës” ka vendosur pro klubeve.

Sipas Gjykatës së Madridit, UEFA do të duhet të “të anulojë, me efekt të menjëhershëm, të gjitha veprimet e saj kundër klubeve themeluese të Superligës Evropiane, përfshirë dosjen përfundimtare me çështjet disiplinore, procedurat e hapura për tre klubet e lartpërmendura dhe për të anuluar gjobat dhe kufizimet e tjera që u vendosën nëntë klubeve të tjera themeluese”.

Në komunikatën e lëshuar nga klubi i Real Madrid-it thuhet që “më këtë mënyrë, gjykatat edhe një herë mbështesin qëndrimin e promovuesve të Superligës Evropiane dhe hedhin poshtë ankesën e ngritur nga UEFA, duke konfirmuar paralajmërimin e saj se mosrespektimi i kësaj rezolute mund të çojë në sanksione financiare dhe përgjegjësi penale”.

“Rasti do të analizohet nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian në Luksemburg, e cila do të rishikojë pozicionin monopol që UEFA mban mbi futbollin evropian”.

“Ne kemi për detyrë të adresojmë sfidat me të cilat përballet futbolli. UEFA ka kërkuar pozicionin ekskluzivisht të rregullatorit, operatorit dhe pronarit të vetëm dhe menaxherit të garave evropiane të futbollit”.

“Ky pozicion monopol, në konflikt interesi, dëmton seriozisht futbollin dhe balancën e tij konkurruese. Siç është treguar në shumë raste, kontrollet financiare janë të papërshtatshme dhe nuk janë aplikuar në mënyrë objektive”.

“Klubet që marrin pjesë në gara evropiane kanë të drejtë të drejtojnë garat e tyre”.

“Ne jemi të kënaqur të dimë se tani e tutje nuk do t’i nënshtrohemi kërcënimeve të vazhdueshme nga UEFA”.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj objektivit të zhvillimit të projektit të Superligës Evropiane në një mënyrë konstruktive dhe mbështetëse, duke marrë parasysh tifozët, lojtarët, trajnerët, klubet, ligat dhe shoqatat dhe federatat kombëtare dhe ndërkombëtare”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka elementë të propozimit tonë që duhet të rishikohen dhe natyrisht, të përmirësohen përmes dialogut dhe konsensusit”.

“Ne vazhdojmë të besojmë në suksesin e një projekti që gjithmonë do të respektojë rregulloret e Bashkimit Evropian”, përfundon deklarata e klubit madrilen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore