Pajisje

Zjarri i njësisë së Tesla-s në Australi, shkak rrjedhja e ftohësit


Zjarri i korrikut që dëmtoi dy njësi baterie të kompanisë Tesla në një projekt të madh të ruajtjes së energjisë në Australi, u shkaktua nga një rrjedhje e ftohësit që nuk u zbulua gjatë testeve të fillimit.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga një mbikëqyrës shtetëror në një raport të lëshuar të martën e 28 shtatorit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se rregullatorët e sigurisë pastruan të ashtuquajturin Big Battery në Victoria, Australi, të drejtuar nga firma franceze Neoen SA, për të rifilluar testimet.

Energy Safe Victoria, rregullatori i sigurisë, ka thënë se do të përcaktojë nëse ka pasur ndonjë shkelje të rregullave shtetërorë të sigurisë së energjisë elektrike dhe “nëse po, sa janë të garantuara veprimet e zbatimit”.

Kurse Neoen ka pohuar se po punon me Tesla-n për të siguruar që projekti i ruajtjes së energjisë prej 450 megavat orë është gati për verën australiane, e cila fillon në dhjetor.

Pritet që testimet të rifillojnë të mërkurën.

“Ne kemi marrë kohë për të kuptuar shkakun e incidentit dhe kemi zbatuar veprime për të siguruar që ai nuk do të ndodhë përsëri”, ka thënë drejtori menaxhues i Neoen Australia, Louis de Sambucy.

Lidhur me zjarrin, u zbulua për herë të parë më 30 korrik prej tymit të nxjerrë dhe më pas shpërtheu në flakë, të cilave iu deshën disa orë për t’u shuar.

Gjithashtu u deshën tre ditë para se autoritetet të shpallnin vendin nën kontroll.

Hetimet nga disa agjenci shtetërore të Victoria-s zbuluan se zjarri në Megapack, një njësi baterie me madhësi konteineri transporti, u shkaktua nga qarqe të shkurtra të shkaktuara nga një rrjedhje e ftohësit.

Qarqet e shkurtra ndodhën kur Megapack-u ishte fikur pas testimit fillestar. Kështu defekti nuk u zbulua dhe zjarri u përhap.

Neoen ka siguruar se janë ndërmarrë veprime për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri në Victoria dhe në të gjithë flotën globale të Tesla-s.

Big Battery në Victoria është një nga më të mëdhatë në botë dhe shihet si thelbësore për parandalimin e ndërprerjeve në një treg që varet gjithnjë e më shumë nga energjia diellore dhe era, veçanërisht gjatë valëve të nxehtësisë.

Prandaj dhe Energy Safe i ka kërkuar Tesla-s të sigurojë rezultatet përfundimtare të hetimit se pse zjarri shkaktoi humbjen e një Megapack-u të dytë dhe se çfarë do të bëjë për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore