Lajme

Zjarri e dërgon Kryeministrin Kurti në Suharekë


Fotografia e shkrepur gjatë takimit të Kryeministritë të Kosovës, Albin Kurti me Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e së martës vizitoi  Suharekën, pas shpërthimi të zjarreve në disa nga fshatra e kësaj komune.

Kurti, fillimisht është pritur në zyrën e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, më pas ka vizituar disa nga zonat e dëmtuar nga zjarri.

Kryeqeveritari, gjatë vizitës në zonat e prekura ka takuar edhe qytetarë, ku ka deklaruar se “Jam këtu në mënyrë që të njoftohem për së afërmi me gjendjen pas një numri të madh të shpërthimit të zjarreve në këtë Komunë.

Kurti, ka premtuar se si qeveri se do të mundohen të ndihmojmë duke u përqendruar te nevojat urgjente së pari.

Kryeministri Kurti, nga Komuna e Suharekës ka bërë të ditur se si qeveri janë të mobilizuar për ta mbajtur nën kontroll zjarrin, që ka përfshirë disa komuna.

“Si institucione po mobilizohemi maksimalisht, kemi kërkuar edhe ndihmë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të KFOR-it. Besojë që mbajtja nën kontrolle e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë, të mos kemi dëme të mëdha materiale dhe sidomos dëme në njerëz”, ka thënë Kurti.

Ai, ka pranuar se komunat nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës por ai ka treguar që zonat e rrezikuara po ndihmohen nga komunat fqinje.

“Komunat nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës, ndonëse mund të kenë pajisje të mjaftueshme, prandaj edhe komunat fqinje po i ndihmojnë, këto komuna të rrezikuara”.

Gjatë ditës së hënë ishte raportuar se disa fshatra të Komunës së Suharekës ishin kapluar nga zjarri.

“Zjarri është përhapur në fshatin Bukosh, Reqanë e kemi një zjarr të ri në fshatin Vraniqë dhe në fshatin Studençan, të komunës së Suharekës”, kishte thënë Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, për Albanian Post.

Muharremaj, kishte treguar se ekipet janë në terren duke u munduar të lokalizojnë zjarrin, duke potencuar se “dëme në shtëpi apo objekte të tjera nuk ka pasur, dëme ka vetëm nëpër fusha”.

Këtë komunë gjatë ditës së hënë e kishte vizituar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai, nga Suhareka kishte siguruar Kryetarin Muharremaj, se Ministria e Mbrojtjes do të angazhoj të gjitha kapacitetet e mundshme për të mbështetur autoritetet komunale për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e situatës së krijuar nga zjarret.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore