Lajme

Zhvendosja Evropiane: Nga “nuk e njohim atë dokument” në “ne e kemi bërë” – brenda dy muajsh


Foto ilustruese nga Albanian Post

Në kohën kur Albanian Post publikoi planin franko-gjerman, saktësisht më 18 shtator të këtij viti, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për AP, me bindje të plotë e kishte mohuar ekzistencën e tij.

“Unë mund të konfirmoj se S’KA ‘kornizë të re’ për dialogun dhe çfarëdo që është publikuar në media në këtë kontekst, është e gabuar”, kishte thënë Stano me 19 shtator, një ditë pas publikimit.

Madje, ai pretendonte se këtë dokument s’e kishin parë kurrë dhe gjithashtu, shtonte se s’ishte produkt i zyrtarëve të BE-së në Bruksel.

“Dokumenti i publikuar nga disa media që pretendojnë se është ‘kornizë e re’ është diçka që e kemi parë për herë të parë, nuk pasqyron punën tonë dhe nuk është prodhuar nga ekipi i BE-së që merret me dialogun”, kishte theksuar ai, pothuajse në sinkron të plotë me bindjet e shumë njerëzve që dyshonin se ekzistonte një dokument i tillë.

Në ndërkohë dokumenti filloi të pranohej gjerësisht dhe u pagëzua si franko-gjerman.

Derisa përfundimisht të gjitha palët, Kosova, Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane pranuan se ka një iniciativë të re dhe për më tepër, një dokument i ardhur në Prishtinë e Beograd nga këshilltarët Jens Plotner e Emmanuel Bonne.

Kështu ishte, derisa të hënën e 14 nëntorit, Josep Borell, përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, vendosi të dal një rrëfim të ri për dokumentin të ri.

Brenda dy muajsh, qëndrimi evropian u zhvendos nga “ne nuk e njohim atë dokument” në “ne e kemi bërë”.

Borrell, gjatë një konference për shtyp, iu tha gazetarëve me mburrje se propozimi franko-gjerman s’ishte realisht i gjermanëve dhe francezëve, por ishte propozuar nga vet ai dhe Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i lumtur ta them që Franca dhe Gjermania kanë qenë shumë mbështetëse të këtij propozimi, i ashtuquajturi propozimi franko-gjerman është në fakt i mbështetur nga franko-gjermanët. Propozimi i prezantuar nga unë dhe Miroslav Lajçak, është një propozim, le të themi propozim evropian”, theksoi ai.

Deri më tani propozimi është përkrahur nga ShBA-të dhe BE-ja, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Ndryshe, AP ka publikuar të plotë “propozimin e Borrell’it dhe Lajçak’ut” që tani është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore