Shqipëria

Zhdukjet e epokës komuniste ende e përndjekin Shqipërinë


 “Politikanëve thjesht nuk u intereson”, tha Jovan Plaku, 46 vjeç, organizatori kryesor i gërmimit në malin Dajti. Babai i tij, Koço Plaku, u ekzekutua në 1976 pas një dënimi për tradhti, sabotim dhe agjitacion dhe propagandë kundër shtetit. “Ata janë shumë të zënë duke bërë para”, shtoi Plaku.

Koco Plaku gjatë gjyqit të tij për tradhti, sabotim dhe agjitacion dhe propagandë kundër shtetit në qershor 1976. Foto në pronësi të Jovan Plakut.

Jovan Plaku mblodhi regjistrime audio të procedurave gjyqësore të të atit të tij dhe marrjet në pyetje. Kjo ishte hera e parë, që nga fëmijëria e hershme, ku ai dëgjonte zërin e babait të tij.

Mijëra familje, të dashurit e të cilëve, u zhdukën nën regjimin komunist në Shqipëri mbesin në pritje. Dështimi i vazhdueshëm i autoriteteve për të gjetur eshtrat e tyre është i përsëritur.

Gjatë gjithë verës së vitit 2010, një grup i vogël “miqsh” u bënë bashkë nga dhimbja dhe i kaluan ditët, duke gërmuar me një ekskavator rrëzë pyjeve të Dajtit. E ndodhur pesë kilometra nga Sheshi Skënderbej, afër zonës periferike ku banon kryeministri Edi Rama.

Kur i ndalën kërkimet në fillim të vjeshtës, eshtrat e 13 njerëzve u vendosën në qese plastike të zeza. Këto kocka u përkisnin atyre që u ekzekutuan fshehurazi me armë gjatë viteve të errëta të regjimit komunist.

Prokurori i Tiranës ose zyrtarë të tjerë të qeverisë nuk qenë të pranishëm dhe nuk shihen gjëkund. Kjo zhvarrosje ishte një nismë private. Përpjekja e dëshpëruar e dy burrave për të gjetur baballarët e tyre, të cilët ishin dënuar gabimisht dhe ekzekutuar shumë vite më parë.

Tre dekada nga rënia e komunizmit, mijëra familje shqiptare janë ende në pritje për të mësuar se si dhe ku u vranë të afërmit e tyre.

Numri i saktë mbetet i paqartë, qeveritë post-komuniste të të gjitha ngjyrave partiake nuk kanë arritur ta zbulojnë. Shumica e vlerësimeve përllogarit rreth 6 mijë njerëz të vrarë, ose që kanë ndërruar jetë në paraburgim shtetëror midis 1944 dhe 1991. Trupat e tyre nuk u kthyen më.

Viktimat e mbijetuara të persekutimit të epokës komuniste janë shpallur dhe kompensuar në masë të madhe. Por familjet e personave të zhdukur duhet të gërmojnë vetë në të kaluarën.

Të irrituar dhe të injoruar, Plaku dhe të tjerët kanë planifikuar dhe vetëfinancuar hetimet e tyre. Ata kanë mbledhur dokumente zyrtare, kanë bashkuar histori nga ish-hetuesit, rojet e burgut dhe spiunët e Sigurimit.

“Arsyet procedurale u dhanë herë pas here nga zyra e prokurorit se pse urdhrat për zhvarrosje nuk mund të jepeshin”, tha Matthew Holliday, drejtori i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, ICMP. Holliday lëshoi ​​një raport këtë muaj mbi personat e zhdukur në Shqipëri nga kohërat komuniste.

Lista e zonave të fshehta të varrosjes së trupave, shtrihet shumë përtej Malit të Dajtit. Rreth 70 vendndodhje të raportuara janë mbikëqyrur në të gjithë vendin, afërsisht 25 prej tyre të besueshme dhe një duzinë prej tyre konfirmohet se kanë mbetje njerëzore.

Përveç faqes së Dajtit, anëtarët e familjes, ICMP dhe Instituti i Shqipërisë për Integrimin e të Përndjekurve Politikë, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur nga prokurorët lokalë të zhvarrosin një zonë pranë qytetit jugor të Ballshit.

Në përgjigje të pyetjeve, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë tha se prokurorët e rretheve mund të urdhërojnë zhvarrosje për krimet e epokës komuniste që nuk e kalojnë afatin e parashkrimit dhe mund t’i referojnë pyetjet prokurorëve të Tiranës dhe Fierit.

Në ndryshim nga shteti mosveprues, kryeministri Rama iu përgjigj një kërkese nga qeveria italiane për të gjetur eshtrat e një bankieri italian me emrin Giussepe Terrusi, i cili u arrestua pas luftës dhe u ekzekutua në 1952.

Pa një urdhër gjykate ose ekspert mjeko-ligjor, një ekipi hapi dy llogore në burgun e Burrelit në shtator të vitit 2020, duke mos gjetur asgjë tjetër përveç baltës.

Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me Terrusi-n ose qasjen e qeverisë ndaj varreve sekrete të epokës komuniste. Ajo ia referoi pyetjet Autoritetit Shqiptar për Aksesin e Informacionit mbi Dosjet e ish-Sigurimit. Ky organ është themeluar në 2016 për të menaxhuar arkivin e ish- policisë sekrete por nuk ka autorizim për të kryer hetime penale.

ICMP nuk është organi i parë ndërkombëtar që shqyrton këtë çështje. Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyruara ose të Vullnetshme vizitoi Shqipërinë në Dhjetor 2016 dhe publikoi një raport kritik vitin e ardhshëm. Ajo zbuloi se “Shqipëria ende nuk është marrë në mënyrë adekuate me shkeljet bruto të të drejtave të njeriut të kryera midis 1944 dhe 1991”.

“Ad hoc dhe e fragmentuar” ishte mënyra se si Grupi i Punës i KB përshkroi kërkimet e Shqipërisë për të zhdukurit.

Përshtatur për BIRN nga AlbanianPost

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore