Shqipëria

Zgjidhet drejtoresha e re e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Voshtina pason Çelën


Abigela Voshtina, me profesion violiniste, është zgjedhur drejtoresha e re e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) në Shqipëri.

Burime për Albanian Post kanë konfirmuar se ajo u zgjodh në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, zhvilluar të mërkurën e 22 qershorit.

Voshtina, e cila do të pasojë Zana Çelën, më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës Artistike të Teatrit të Operas për tetë vite.

Gjatë tyre, Voshtina ka bashkëpunuar ngushtë me ish-drejtorin Ilir Kerni dhe me ish-drejtoreshën Çela.

Sakaq, mësohet se shtatë kandidatë kanë prezantuar të martën e kaluar platformat para një komisioni të ngritur nga Ministria e Kulturës, të përbërë nga pesë anëtarë (tre shqiptarë dhe dy përfaqësues të huaj).

Në garë ishte drejtoresha në detyrë, Zana Çela, e cila synonte një mandat të tretë. Gjithashtu ishin edhe emrat: Josif Gjipali, Adela Muçollari, Kleanthi Gjika, Tomorr Kokona, Arben Skënderi dhe, e zgjedhura, Abigela Voshtina.

Abigela Voshtina, drejtoresha e TKOB-së

Të gjithë kanë shërbyer në fushën e kulturës për vite.

Voshtina, në prezantimin e programit të saj, i ka mëshuar ndër të tjera mungesës së një sezoni dyvjeçar të Operas, si dhe bashkëpunimit edhe me Bashkinë e Tiranës.

Në 2017-ën, Voshtina, në atë kohë Drejtoreshë Artistike e TKOB u përball me një peticion. Ishin vetë artistët e Orkestrës Simfonike të TKOB që kërkonin largimin e saj nga ky pozicion, me akuzën për përdorim të postit për përfitime personale, shkelje të rregullores dhe probleme komunikimi.

Më 29 mars 2022, Ministria e Kulturës hapi garën, duke vendosur një kriter preferencial për kandidatët, zotërimin e masterit në Ekonomi, i cili ngjalli debat në radhët e konkurrentëve.

Për shkak të aplikimeve të shumta, Ministria e Kulturës e shtyu afatin e dorëzimit të platformave deri më 6 maj, duke u lënë më shumë kohë aplikantëve.

Sakaq, mësohet se në krye të TKOB-së do të jetë Abigela Voshtina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore