Lajme

Zgjedhjet serbe\BE: Mos mbajtja në kundërshtim me të ardhmen evropiane të Kosovës


Ilustrim

“Vendimi për refuzimin e mbajtjes së Zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, më tre prill, është në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj duke përfshirë edhe popullatën jo-shumicë”.

Kështu është deklaruar Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në një përgjigje me shkrim për Kosova Press, e cila ndër të tjera ka shprehur keqardhje për mos-gjetjen e konsensusit për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Neve na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga vendet e QUINT-it. Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën joshumicë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, sipas Pisoneros, Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se Bashkimi Evropian do të mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt afrimit në union.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në afrimin drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Rruga evropiane e Kosovës varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Ana Pisonero

Ditë më parë i zhgënjyer me mos-lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte shprehur edhe Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store.

“Kjo gjë mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE. Argumentet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që zbehin besimin ndaj njëra-tjetrës. Prandaj, unë shfrytëzova rastin që gjatë takimit tonë të shpreh zhgënjimin tim ndaj Kosovës që nuk i lejoi zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizohen në të njëjtën mënyrë sikurse në zgjedhjet e kaluara”, kishte thënë Store.

I zhgënjyer me mos-lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte shprehur edhe Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuar Peach, gjatë një interviste në gazetën malazeze “Vijesti”.

“Isha i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votimin e serbëve të Kosovës në territorin e Kosovës gjatë zgjedhjeve të ardhshme në Serbi. Ndërsa është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast vë në dyshim përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, tha Peach.

Flamujt e shteteve të QUINT-it

Ndryshe javë më parë Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) përmes një deklarate të përbashkët ishin shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, teksa u shprehën vlerësues ndaj “qasjes konstruktive të Serbisë”.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e tyre evropiane”, kanë shkruar shtetet e QUINT-it.

“Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga shtetet e QUINT-it. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, shkruhej më tej.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore