Lajme

Zgjedhjet në Kroaci: Me afër 50% e votave të numëruara partia e Plenkoviç-it ka 64 mandate, e Milanoviç-it 42


Andrej Plenkoviç dhe Zoran Milanoviç

Me 46,19 për qind të votave të numëruara, partia e kryeministrit aktual të Kroacisë, Andrej Pelnkoviç, është duke prirë dukshëm, e ndjekur nga koalicioni që drejtohet nga presidenti kroat, Zoran Milanoviç.

Me këto vota të procesuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kroaci, ka bërë të ditur se partia e Plenkoviç-it ka siguruar 64 mandate, i ndjekur nga koalicioni i SDP-së, që udhëhiqet nga Milanoviç, me 42 mandate.

“Domovinksi Pokret” me këto vota të numëruara ka siguruar 13 mandate, ndjekur nga “Most” me 9, derisa deri më tani partia “Mozemo” ka 7 ulëse në parlament dhe “IDS” ka siguruar vetëm 4 mandate.

Ndryshe, rreth 450,000 votues, më shumë se katër vjet më parë, votuan të mërkurën pasdite në zgjedhjet e 11-ta parlamentare të Kroacisë.

Fushata zgjedhore ka qenë e ashpër në mes të Plenkoviç-it dhe Milanoviç-it me akuza dhe kundër akuza ndaj njëri tjetrit.

Plenkoviç ka akuzuar vazhdimisht Milanoviç-in se është “pro-rus” për shkak të kritikave të tij për mbështetjen e BE-së për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë, si dhe kundërshtimin e tij për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci, e cila është një anëtare e NATO-s.

Nga ana tjetër, Milanoviç u kërkonte qytetarëve kroatë që “të dalin dhe të votojnë për këdo përveç HDZ”, derisa Plenkoviç-in e cilësonte si “kumbarin e krimit”.

Parlamenti i Kroacisë ka 151 deputetë, ndërsa për ta formuar qeverinë e re duhet shumicë e thjesht, pra një më shumë gjysma e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore