Lajme

Zeqiri: Problematik peticioni i Qeverisë për shkarkimin e kryetarëve në Veri, më mirë të dorëhiqemi vullnetarisht


Izmir Zeqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i bindur se mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës është përmes formës së peticionit, megjithatë me një gjë të tillë nuk pajtohet kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri i cili këtë nismë e sheh si problematike.

Ndryshe nga Kurti, Zeqiri beson se dorëheqja vullnetare e të katër kryetarëve në Veri do të ishte më e dinjitetshme.

“Unë do t’i përshtatem çfarëdo forme ligjore që rrjedhin nga institucionet e Republikës se Kosovës. Mirëpo sa i përket kësaj iniciative (udhëzimit administrativ) për mendimin tim, duhet të ketë marrëveshje politike, dorëheqje vullnetare koordinuar, do të ishte më e dinjitshem, për mendimin tim. Meqenëse ky vendim është i kryeministrit, natyrisht është një bazë ligjore. Por, iniciativën e shkarkimit unë e shoh si problematike dhe e shoh si të pa dinjitetshme sepse këtu ka edhe probleme, pastaj procedurat deri te shkarkimi”, ka deklaruar ai në një prononcim për media.

Iniciative e largimit të kryetarëve në Veri përmes një peticioni, sipas Zeqirit, mund të krijojë një precedent.

“Iniciative në fjalë mund ta ketë problematiken e vet për shkak se deri sa të shkojnë procedurat, kërkojnë kohë më të gjatë dhe është problematike në veti iniciativën për t’i shkarkuar kryetarët”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kishte kuptuar se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

KQZ e refuzoi për mungesë të bazës ligjore, Qeveria përmes ministrisë merr vendim për largimin e kryetarëve nga Veriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore