Lajme

Zelandë e Re: Vdekja e një 26-vjeçari lidhet me vaksinën Pfizer


Autoritetet e Zelandës së Re kanë deklaruar të hënën e 20 dhjetorit se vdekja e një 26-vjeçari ishte e lidhur me vaksinën COVID-19 të Pfizer Inc (PFE.N).

Kjo, pasi personi pësoi miokardit, inflamacion i rrallë i muskujve të zemrës, pasi mori dozën e tij të parë.

Në Zelandën e Re, kjo është vdekja e dytë e lidhur me një efekt anësor.

Më herët, autoritetet shëndetësore raportuan gjatë verës se një grua kishte vdekur, pasi kishte inokuluar dozat e saj.

“Me informacionin aktual të disponueshëm, bordi ka konsideruar se miokarditi erdhi për shkak të vaksinimit”, tha një Bord i Pavarur i Monitorimit të Sigurisë së Vaksinave COVID-19 në një deklaratë.

I riu, i cili vdiq brenda dy javësh nga doza e tij e parë, nuk kishte kërkuar këshilla mjekësore ose trajtim për simptomat e tij.

Miokarditi është një inflamacion i muskujve të zemrës, që mund të kufizojë aftësinë e organit për të pompuar gjak.

Si rrjedhojë, inflamacioni mund të shkaktojë ndryshime në ritmet e rrahjeve të zemrës.

Një zëdhënës i Pfizer-it për agjencinë ndërkombëtare “Reuters” deklaroi se kompania ishte në dijeni të raportit në Zelandën e Re.

Sipas deklaratës, kompania monitoroi të gjitha raportet e simptomave të mundshme anësore.

Në përmbyllje, ajo beson se raporti përfitim-rrezik për vaksinën e saj ishte pozitiv.

Bordi i sigurisë së vaksinave të Zelandës së Re tha gjithashtu se dy persona të tjerë, përfshirë një 13-vjeçar, kishin vdekur me miokardit, pasi kishin marrë vaksinat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore