Lajme

Zbulohet në shkretëtirën izraelite një xhami e hershme, thonë arkeologët


Punëtorët myslimanë palestinezë nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit luten në mbetjet e xhamisë antike. ©: Menahem Kahana/AFP/Getty Images

Arkeologët izraelitë kanë zbuluar një xhami të rrallë antike në jug të vendit që zyrtarët e antikiteteve thanë se hedh dritë mbi tranzicionin e rajonit nga krishterimi në islam.

Në një deklaratë Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA) bëri me dije se mbetjet e xhamisë, që besohet të jenë më shumë se 1 mijë e 200 vjet të vjetra, u zbuluan gjatë punimeve për të ndërtuar një lagje të re në qytetin beduin të Rahat-it.

IAA-ja shtoi se xhamia, e vendosur në shkretëtirën Negev, përmbante një dhomë katrore dhe një mur përballë drejtimit të Mekës, me një kamare gjysmërrethi në atë mur që tregonte në jug.

“Këto tipare unike arkitekturore tregojnë se ndërtesa është përdorur si xhami”, tha autoriteti, duke vënë në dukje se ndoshta kishte disa dhjetëra adhurues në të njëjtën kohë.

Një distancë e shkurtër nga xhamia, u zbulua gjithashtu një “ndërtesë e pasurive luksoze”, me mbetje enësh dhe artefakte qelqi që tregojnë pasurinë e banorëve të saj.

©: Menahem Kahana/AFP/Getty Images

Tre vjet më parë, autoriteti zbuloi një xhami tjetër aty pranë nga e njëjta epokë e shekullit të shtatë deri në të tetë pas Krishtit, duke i quajtur dy objektet islame të adhurimit “ndër më të hershmet e njohura në mbarë botën”.

Sipas IAA-së, xhamitë, pronat dhe shtëpitë e tjera të gjetura aty pranë ndriçuan “procesin historik që ndodhi në veri të Negev-it me prezantimin e një feje të re – fesë së Islamit dhe një sundimi dhe kulture të re në rajon”.

“Këto u krijuan gradualisht, duke trashëguar qeverinë e mëparshme bizantine dhe fenë e krishterë që sundoi mbi tokë për qindra vjet”.

Pushtimi mysliman i rajonit ndodhi në gjysmën e parë të shekullit të shtatë.

IAA-ja theksoi se xhamitë e gjetura në Rahat do të ruhen në vendndodhjet e tyre aktuale, qoftë si monumente historike apo si vende aktive lutjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore