Shqipëria

Zbulohen dy sera të tjera me kanabis në Krujë, babë e bir në kërkim


Në Krujë janë zbuluar dy sera në të cilat kishte të kultivuar në kubikë, 610 fidanë cannabis sativa.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy poseduesit e tyre, babë e bir, shtetasit me inicialet E. R., dhe D. R.

Po ashtu është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.

Zbulimi ka ardhur pas kontrolleve në territorin e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë, Krujë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Shkoza e Bardhë”, si rezultat i kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së shtetasve E. R. dhe D. R. (babë e bir), u zbuluan dy sera në të cilat u gjetën të kultivuar në kubikë, 610 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Referuar Policisë, pjesa më e madhe e tyre u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, në vijim të veprimeve për këtë rast, kanë shpallur në kërkim shtetasit E. R., 66 vjeç dhe D. R., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit që ka ushtruar Policia, ata nuk janë gjetur në banesë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., me detyrë kryeplak i fshatit Shkozë e Bardhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Mësohet se vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kanë kaluar sakaq Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore