Shqipëria

Zbardhet ekzekutimi i Ardian Nikulajt – 6 persona të përfshirë, të gjithë të larguar nga Shqipëria


Një shtetas portugez dyshohet se është ekzekutuesi i Ardian Nikulajt, biznesmenit të njohur në zonën e Lezhës, i cili mbeti i vrarë më 19 prill me shtatë plumba të qëlluar drejt tij, pikërisht në ambientin e hotelit që kishte në pronësi.

Mirëpo problemi real, qëndron në faktin se portugezi i përfshirë në vrasje, është larguar nga Shqipëria nga pika kufitare e Kapshticës.

Disa mbetje rrobash janë gjetur në një banesë në zonën e Gjadrit të Lezhës, ku do të shihet nëse kanë mbetje ADN-je, së bashku me disa gëzhoja, armë zjarri, telefona, të cilat kanë çuar identifikimin e vrasësit.

Ndërsa, pesë shtetas të tjerë, mes të cilëve njëri shqiptaro-britanik dhe katër të tjerë britanikë, të cilët po ashtu janë larguar nga vendi, dyshohet se kanë qenë në rolin e ndihmësve në vrasje.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka shpjeguar se tashmë hetimi ndodhet në një fazë të dytë dhe janë vendosur kontaktet me agjencitë e huaja, për shpalljen në kërkim të gjashtë shtetasve.

E.H, me shtetësi shqiptare dhe britanike, R.R.S, shtetas portugez, H.H shtetas britanik, H.B shtetase britanike, H.M shtetas britanik dhe S.P.H shtetas britanik.

Nikulaj u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që ka qenë në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi shtatë herë 50-vjeçarin.

Teksa një pistë hetimi lidhet me gjakmarrjen, prej konflikteve me fisin Palaj, një tjetër rrugë është hapur, ku tregohen konflikte me një tjetër familje, atë Kolndreu.

Hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje disa pjesëtarë të kësaj familjeje, pasi përpara tre vjetësh, disa anëtarë të familjes Nikulaj kanë rrahur shtetasin Marsel Kolndreu.

Sipas babait të Marsel Kolndreut, i cili është marrë në pyetje, djali i Nikulajt dhe nipat e tij, e kanë rrahur atë me shkopinj bejzbolli.

“Iu kam çuar njerëz dhe iu kam thënë që pse ma rrahët djalin në këtë formë. Ardiani na është përgjigjur ‘rrini mirë’”, ka bërë me dije babai i Marsel Kolndreut gjatë hetimeve.

Ndërsa për vrasjen, ai ka deklaruar se e ka dëgjuar prej mediave dhe se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Siç është zbuluar të premten e 21 prillit, e gjithë familja e Ardian Nikulajt është ndjekur dhe monitoruar disa ditë përpara vrasjes së biznesmenit të njohur në zonën e Shëngjinit në Lezhë.

Rreth dy javë përpara vrasjes, një mjet i llojit “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit.

Prej atij mjeti, dy persona kanë dalë, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si “Lapidari” dhe më pas janë larguar.

Nga ana tjetër, tre ditë përpara vrasjes së Nikulajt, një mjet i tipit “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, duke hamendësuar se ai po ndiqej.

Pamjet e publikuara në media kanë treguar çastin kur autori i krimit, i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e barit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Nikulaj ka pasur në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu në formular rezulton se Nikulaj ka mbiemrin e ndryshuar.

Në këto zgjedhje ndërkaq, ai ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të Lezhës.

Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së vrasjes së biznesmenit, nëse kemi të bëjmë me një atentat, apo nëse kemi të bëjmë me një vrasje për motive politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore