Shqipëria

Yuri Kim vizitë në SPAK, takohet me Krajën


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar paraditen e 13 shtatorit një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja.

Takimi u zhvillua në ambientet e SPAK-ut dhe zgjati 30 minuta.

Të dyja palët nuk kanë bërë publike asnjë detaj rreth temës së trajtuar në takim.

Më herët më 8 shtator, ambasadorja Kim, ka deklaruar nё median sociale Twitter, se ka zhvilluar një bisedë me Krajën.

Ajo ka bërë me dije se nё takim u diskutua rreth asaj se çka presin Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga SPAK-u “tё ekzekutojё pa ndikim çdo kundërvajtje ligjore”.

“Që nga fillimi i vitit 2021, SPAK ka hapur 264 raste të 127 persona janë dënuar. Vendimet përfundimtare të gjykatës konfirmuan konfiskimin e 70 milionë parave, qё tani i janë transferuar shtetit shqiptar. Hap pas hapi…”, citoi ambasadorja.

Bashkëpunimet SPAK – SHBA

Më 6 gusht, Shqipëria krijoi Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila do të punojë së bashku me Zyrën e Prokurorisë Speciale (SPO).

Institucioni i ri u prezantua nga Demian Smith, zëvendësambasadori i SHBA-ve, përballë autoriteteve shqiptare të drejtësisë.

27 anëtarët e BKH-së kanë nisur punën të hënën e 9 gushtit, pasi kanë kryer trajnimet e caktuara.

Trajnimi ka përfunduar më 6 gusht për 28 hetuesit e Byrosë.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës ishin të pranishëm kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, si dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj.

Deklarata e Kim-it për drejtësinë

“Shqipëria do që ju të keni sukses. SHBA-të kanë nevojë që ju të keni sukses. Ju do të keni sukses”.

Kanë qenë këto fjalët që ambasadorja amerikane ka përcjellë në përkujtimin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

Ndër të tjera, Kim tha se drejtësia dhe sundimi i ligjit duhet t’i shërbejë popullit.

Ajo shprehu besimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  se reforma në drejtësi do të përmbushet.

“Unë besoj se ju do të keni sukses”, tha Kim.

Sipas saj, publiku duhet të jetë përfituesi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i punës së institucioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore