Bota

Xiaomi padit SHBA-në për bllokimin e investimeve


Xiaomi paditi departamentet e Mbrojtjes dhe Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sfiduar listën e zezë e cila bllokon investitorët amerikanë nga blerja e letrave me vlerë të gjigandit kinez të smartphone-ve.

Ky procedim gjyqësor ka ardhur pasi Departamenti i Mbrojtjes vendosi që prodhuesi i Kinës, Xiaomi ishte i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Popullit.

Xiaomi me qendër në Pekin e ka quajtur listën e zezë “ antikushtetuese” dhe ka kërkuar vendim gjykate për të ndryshuar përcaktimin e bërë në kohënm e ish-presidentit, Donald Trump.

Kompania u  shpreh se “Xiaomi përballet me dëm të pashmangshëm, të rëndë dhe të pariparueshëm, nëse ky kufizim hyn në fuqi”.

Në kohën e administratës të Trump-it, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shënjestruar shumë kompani të teknologjisë kineze duke cituar sigurinë kombëtare.

BlackRock Inc, Vanguard Group Inc. dhe State Street Corp janë ndër investitorët kryesorë institucionalë amerikanë në Xiaomi që do të detyrohen të heqin zotërimet në kompani deri në nëntor.

Prodhuesi i smartphone-ve tha që “Xiaomi nuk është në pronësi as në kontroll nga qeveria apo ushtria kineze. Gjithashtu nuk është në pronësi të ndonjë entiteti të lidhur me bazën industriale kineze të mbrojtjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore