Lajme

Xi Jinping kërkon veprim teksa përmbytjet po shkatërrojnë ndërtesat në Kinë


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje për përpjekje më të forta për të mbrojtur jetët dhe pronat nga përmbytjet e rënda.

Thirrja e tij vjen pasi shkencëtarët e vendit paralajmëruan se korriku do të sjellë më shumë mjerim nga moti ekstrem.

Shiu i dendur ka zhvendosur mijëra njerëz në qendër të Kinës dhe ka shkatërruar ura dhe prona të tjera.

Një ndërtesë në Chongqing jugperëndimore u shemb nga një përrua i furishëm dhe një urë hekurudhore u shemb po ashtu pasi u dobësua nga ujërat e përmbytjeve në të njëjtin rajon.

Më shumë se 10 mijë njerëz u evakuuan gjithashtu ditët e fundit nga shtëpitë në provincën qendrore Hunan, ku dhjetëra ndërtesa u shembën.

Paralajmërimet për përmbytjet janë tashmë në fuqi edhe për veriun, duke përfshirë provincat Liaoning, Jilin dhe Heilongjiang.

Kina rregullisht përballet me përmbytje të rënda dhe teksa ngrohja globale nxit motin më të shpeshtë ekstrem, problemet ka të ngjarë të intensifikohen.

Autoritetet meteorologjike kineze paralajmëruan se vendi mund të presë “fatkeqësi të shumta natyrore në korrik, duke përfshirë përmbytjet, tajfunet dhe temperaturat e larta”.

Pekini tashmë ka duruar qershorin më të nxehtë që nga viti 2000, me temperatura mbi 35 gradë Celsius për 14 ditë.

Urbanizimi i shpejtë i Kinës, së bashku me krizën globale të klimës, nënkuptojnë se edhe qytetet e mëdha janë në rrezik nga rritja e nivelit të ujërave.

Sakaq, këtë vit nuk ka pasur të vdekur nga përmbytjet.

Përmbytjet më vdekjeprurëse në historinë e fundit ishin në vitin 1998, kur mbi 4 mijë njerëz u vranë, kryesisht përgjatë lumit Yangtze.

Kina është aktualisht emetuesi më i madh në botë i gazeve serrë, përgjegjëse për rreth një të katërtën e të gjitha emetimeve që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Por është zotuar se do të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2060.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore