Sport

Xhudistes Majlinda Kelemendi i ndahet urdhri “Shote Galica”


Në një ceremoni shtetërore të mbajtur të hënën pasdite xhudistes Majlinda Kelmendi, i është ndarë urdhri “Shote Galica” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në fjalimin e saj, Osmani ka thënë se “Kelmendi me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos”.

“Me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfare e duam. Flamuri kaltër e verdhë valojë majave karshi flamujve të shteteve më të mëdha anekënd globit fal Majlindës”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, Kelmendi vazhdon të jetë frymëzim për vajzat e Kosovës dhe përtej Kosovës.

“Majlinda Kelmendi është më shumë sesa çmimet që fitoi. Pa Majlindën e guximin e saj për pushtimin e horizonteve të reja, pa modelin që ua dha të rinjve tanë, nuk do të kishim sot Distrian, Norën dhe shumë vajza tjera”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Suksese fitueses së medaljes së artë në Lojërat Olimpike Verore në Rio të vitit 2016, i dëshiroi  presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, përmes një video-mesazhi.

“Jemi krenarë për arritjet e saj dhe përmirësimin e rezultateve të Federatës së Xhudos dhe të gjithë njerëzve përreth Federatës së xhudos. I dëshiroj suksese dhe e falënderoj për zhvillimin e xhudos në Kosovë”, theksoi Vizer.

Ndërkaq Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ka thënë se Majlinda e ka drejtuar Kosovën drejt triumfeve edhe në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Je t’i Majlinda që gjatë këtyre viteve na drejtove drejt triumfit të Kosovës edhe në shtetet që nuk na njihnin. Ti jo vetëm që e bëre krenar shtetin tënd, por edhe u bëre udhërrëfyese edhe për kampionet tjera. Uroj dhe besoj se puna jote në profesionin tënd të ri, do t’i sjellë Kosovës suksese me gjenerata të reja”, ka potencuar Kuka.

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka

Kelmendi kishte të arritura të mëdha në karrierën e saj të xhudos, ku në arenën ndërkombëtare ka koleksionuar 46 trofe të rëndësishme në këtë sport.

32 medalje të arta, gjashtë të argjendta dhe tetë të bronzta, janë sukseset e 30 vjeçares deri më tani.

Medaljen e parë, Majlinda e fitoi në vitin 2009, atë të e artë në Kampionatin Botëror të Juniorëve në Paris.

Pastaj, në vitin 2010, ajo doli e pesta në Kampionatin Botëror të Juniorëve në Marok dhe përfundoi e nënta në kategorinë 52 kg në Kampionatin Botëror të Xhudos 2010 në Tokio.

Kurse, në Kampionatin Botëror të xhudos në vitin 2013, Majlinda i dha Kosovës titullin e parë botëror, duke triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë në Rio de Zhaneiro.

Derisa, një vit më vonë ajo arriti të mbrojë titullin, duke u shpallur përsëri kampione e botës në Rusi.

Pas sukseseve të arritura në vitin 2014, ajo nuk arriti të mbrojë përsëri titullin kampion, pasi që pësoi një dëmtim.

Pastaj në vitin 2016 ajo fitoi medaljen e artë në Grand Slam-in e mbajtur në Paris, duke e bërë titullin e saj të tretë radhazi pasi e fitoi në 2014 dhe 2015.

Dy muaj më vonë, ajo fitoi një medalje të artë në Kampionatin Evropian të xhudos në Kazan, Rusi.

Ndërsa në vitin 2016, ajo i solli medaljen e parë të artë Kosovës, duke dalë e para në Lojërat Olimpike Verore në Rio të vitit 2016.

Kurse, në pjesëmarrjen e fundit në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, Majlinda nuk pati sukses, duke u eliminuar që në raundin e parë.

Këto ishin vetëm disa nga të arriturat e Majlinda Kelmendit, ndërsa pas pensionimit, ajo pritet të vazhdojë punën si trajnere në xhudo, përkrah trajnerit të saj, Driton Kukës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore