Lajme

Xhavit Haliti paditë Haki Abazin për shpifje


Deputeti nga PDK, Xhavit Haliti dhe deputeti nga LVV, Haki Abazi.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka paditur për shpifje deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, nga i cili ka kërkuar 200 mijë euro dhe kundër të njëjti ka propozuar masë sigurie.

Në fillim të seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila është mbajtur të martën e 30 marsit, avokati i Halitit, Gent Spahija, ka thënë se qëndron në tërësi pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë.

Përmes kësaj i ndalohet Abazit, publikimi i çfarëdo deklarate, prononcimi, njoftimi ose informacioni në lidhje me veprimtarinë e Halitit.

Sipas avokatit, propozimi për caktimin e masës së sigurisë është i nevojshëm pasi të njëjtit konsiderojnë se Abazi do të vazhdojë të bëjë shpifje ndaj Halitit.

Ndër të tjera, në këtë seancë është përmendur edhe deklarata e Abazit në një nga emisionet televiziv ku ka deklaruar, “sot e them dhe do e them gjithmonë”, sipas avokatit Spahiut kjo gjë indikon se i njëjti ende mund të tentojë të diskreditojë reputacionin e paditësit Haliti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, Abazi e ka kundërshtuar si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë, pasi që konsideron se pretendimet e ngritura dhe të gjitha deklarimet e bëra janë të referuara në burimet mediale ndërkombëtare dhe në raportin e KFOR-it.

Tutje, ai ka shtuar se çështjet e ngritura janë bërë në formë të pyetjeve lidhur me raportin e lartcekur dhe ka konsideruar që e gjithë kjo lëndë bie në sferën e të drejtës së të shprehurit të lirë dhe përbrenda kornizës së të drejtave demokratike qytetare.

Sipas tij, limitimi i këtyre të drejtave3 është cenim i demokracisë dhe të drejtës së mediave për të shkruar dhe ngritur çështjet e rëndësishme për shoqërinë.

Ndryshe, sipas padisë së 7 qershorit 2021, paditësi Xhavit Haliti ka paditur Haki Abazin për shpifje dhe ka propozuar lëshimin e masës së sigurisë.

Në padi thuhet se më 27 maj 2021, i padituri Abazi kishte deklaruar: “Xhavit Haliti duhet të japë llogari për vrasjet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë”, “Duke e ditur se kush është Xhavit Haliti sigurisht se me qef do ta kisha bërë këtë deklaratë në prani të tij”.

“Xhavit Haliti është njeri që e ka përcjellë luftën nga Rogneri, ka probleme që janë të ditura për keqpërdorimet e fondit “Vendlindja thërret”. Dihet roli i tij në proceset e eliminimit fizik të kundërshtarëve të tij politik gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. Janë raportet e KFOR-it. Le të del Xhavit Haliti të thotë për keqpërdorimin e një euroje të vetëm. Po flas me raportin KFOR”.

Sipas Abazit, Haliti mund të flasë vetëm për një çështje.

“Ai mund të flasë për furnizimin me armë dhe ndërprerjen, ku janë vrarë ushtarë në prezencë të njerëzve e ku kam qenë edhe unë. Le të del me një dëshmi të vetme. Unë po i them se nuk duhet të keqpërdorej komisioni për skandalizim të çështjeve për shkak të inateve të tij”.

“Dhe çfarë mund ta pres në të ardhmen në proceset gjyqësore. Z. Haliti është ai që siç e thotë edhe vet se e ka menaxhuar luftën. Si është vrarë Ahmet Krasniqi, çfarë ka ndodhur me Ilir Konushevcin. Për krimet duhet të përgjigjen njerëzit që i kanë bërë dhe që kanë qenë në hiearkinë, Enver Maloku është vdekur, Xhemajl Mustafa është i vrarë”, kishte deklaruar Abazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore