Sport

Xhaka flet për largimin nga Arsenal-i


Granit Xhaka ka thënë se e ardhmja e tij do të vendoset përpara ndeshjes së fundit të sezonit të dielën.

Arsenal-i është në bisedime të avancuara me Bayer Leverkusen për një lëvizje prej 13 milionë funtesh që do t’i jepte fund shtatë viteve të Xhakës në klub.

30-vjeçari ka duruar disa periudha të trazuara me Arsenalin dhe iu hoq kapiteni në vitin 2019, pas një përplasjeje me tifozët vendas në “Emirates”.

Xhaka ka rindërtuar lidhjen e tij me tifozët që atëherë dhe ka shijuar sezonin e tij më të mirë në Arsenal.

Mesfushori kosovar ka thënë se do të flet rreth së ardhmes përpara se skuadra e tij të përballet me Wolves në ndeshjen e fundit të sezonit.

“Do ta dini në javën e ardhshme, me siguri”, tha Xhaka për “Standard Sport”, kur u pyet nëse ai mund të sqaronte situatën rreth të ardhmes së tij.

“Mendoj se ata (tifozët) e meritojnë këtë dhe unë e bëj edhe veten time. Kemi edhe një javë të këtij sezoni në Premier League. Gjëja e parë është që dua ta shijoj dhe, me siguri, ju djema do ta dini javën e ardhshme se çfarë do të ndodhë me të ardhmen time”, shtoi Xhaka

Xhaka do të ketë një vit të mbetur në kontratën e tij këtë verë, megjithëse ekziston mundësia për ta zgjatur atë edhe për 12 muaj të tjerë.

Ai ishte afër largimit nga Arsenali kur humbi kapitenin, por trajneri Arteta e bindi të qëndronte.

Xhaka ka thënë që atëherë se ai dëshiron të arrijë diçka “të veçantë” në Arsenal dhe, pavarësisht se dështoi në garën për titull këtë sezon, ai ka arritur të hyjë në zemrat e tifozëve të klubit londinez.

“Kjo është ajo që kam thënë kur flas për të veçantat,” tha ai. “Do të thotë, si e them, ku kam qenë tre vjet më parë dhe si u ktheva dhe kthesa ime, ndoshta. Më bën krenar, më bën edhe të lumtur. Por kjo është historia ime, kjo është rruga ime”, shtoi Xhaka.

“Sigurisht, nëse javën e ardhshme do të dimë shumë më shumë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen time, do të jem mirënjohës për fansat sepse si më trajtojnë pas kësaj, nuk e prisja nëse do të jem i sinqertë”.

“Doja të bëja diçka të veçantë këtë sezon, ndoshta me një titull, por nuk është koha. Le të shohim se çfarë flet e ardhmja”, shtoi reprezentuesi i Zvicrës.

“Aty ku kam qenë tre vjet më parë dhe ku jam sot, mendoj se jam rritur si një person, si një lojtar dhe kam kthyer respektin, atë që mendoj se e meritoj edhe nga tifozët”.

“Ne kemi punuar 11 muaj shumë mirë,. Le të shijojmë ndeshjen e fundit në shtëpi”, ishin fjalët e Granit Xhakës.

Pra, e ardhmja e tij me gjasë do të jetë nën urdhrat e Xabi Alonso-s te Leverkusen, i cili po e ndërton një ekip të fortë.

Kujtojmë që Xhaka ishte një nga futbollistët më të mirë në këtë edicion me Arsenal-in, me të cilët shënoi shtatë gola dhe dhuroi po aq asistime.

Xhaka është pjesë e Arsenal-it që nga vera e vitit 2016, kur u transferua nga Borussia Monchengladbach për shumën e 45 milionë eurove.

Gjatë këtyre viteve në Arsenal, Xhaka ka luajtur në 296 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 21 gola dhe ka dhuruar 29 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore