Shqipëria

Xhaçka: Të përshpejtohet anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të enjten e 6 majit ka zhvilluar një takim zyrtar me ministren Federale për Bashkimin Evropian (BE) dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edstadler.

Ajo ka vlerësuar mbështetjen e shtetit austriak për periudhën pas tërmetit, në procesin e rindërtimit. Gjithashtu dhe për ndihmën e dhënë gjatë pandemisë Covid-19.

“Austria është bashkëpunëtore për sjelljen e 651 mijë vaksinave në Ballkan”, deklaroi ajo, duke vënë theksin dhe te rezultatet “e prekshme dhe të qëndrueshme”, në fushat kryesore të identifikuara.

Xhaçka ka bërë thirrje që anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE “duhet të përshpejtohet”, pasi sipas saj, është radha e BE-së për të vlerësuar arritjet tona konkrete, si dhe kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare janë plotësuar.

“Tani është radha e BE-së që të marrë në konsideratë përpjekjet dhe angazhimin e Shqipërisë për t’iu afruar unionit”, tha ajo.

Ndërsa ministrja për BE-në, Karoline Edstadler, u shpreh se e ka mbështetur Shqipërinë për fillimin e Konferencës Ndërqeveritare, si dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit.

“Ky proces do të nisë më 9 maj dhe le të jetë një pikënisje e mbarë për të ardhmen e rajonit dhe BE-së”, tha Edstadler, ndërsa theksin e vendosi dhe te çështjet e sigurisë e ajo e migrimit.

Ndër të tjera, u diskutua dhe pasaporta e gjelbër e vaksinimit, ku ministrja austriake u shpreh e gatshme për të përkrahur Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në pasaportën e gjelbër të vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore