Shqipëria

Xhaçka në Ministerialin e Berlinit: NATO të hapë dyert për Ballkanin Perëndimor


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka marrë pjesë në takimin jo zyrtar dy ditor të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të ministrave të Jashtëm, mbajtur në Berlin këtë fundjavë.

Xhacka nënvizoi mbështetjen për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, për të cilat Shqipëria po merr masa që së shpejti të nisin procedurat përkatëse.

Sa i takon situatës në Ukrainë, ministrja tha se bashkimi është çelësi i sigurisë kolektive të aleancës, ndërsa në vijim të mbështetjes që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës, bëri me dije se vendi ynë do të jetë pjesë e grupit të ri të luftimit në Bullgari.

“Të gjithë do të bëjmë gjithcka mundemi t’i japim Rusisë mesazhin e aleancës së bashkuar”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.

Sipas saj, NATO duhet të vijojë politikën e dyerve të hapura për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën e cila ndan të njëjtat vlera, si një kontribut i sigurisë së Evropës në tërësi.

Një ditë më parë, pak Ministrja Xhaçka u takua me homologun e Ukrainës, Dmytro Kuleba, ku nënvizoi se Ukraina meriton një perspektivë drejt Bashkimit Evropian.

Takimi, i paraprin samitit të NATO-s, në fund të muajit qershor në Madrid.

Ndërkohë, Finlanda njoftoi se synon të aplikojë për anëtarësim në NATO, duke i hapur rrugën aleancës ushtarake perëndimore prej 30 anëtarësh për t’u zgjeruar në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidenti i vendit, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja, Sanna Marin, e bënë njoftimin në një konferencë të përbashkët shtypi në Pallatin Presidencial në Helsinki.

Parlamenti finlandez pritet të miratojë vendimin në ditët në vijim, por ai konsiderohet një formalitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore