Sport

Witsel do të largohet nga Dortmund-i në fund të sezonit


Futbollisti belg, Axel Witsel, do të largohet nga Borussia Dortmund-i në fund të këtij sezoni, kur edhe i mbaron kontrata me klubin gjerman.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Witsel, i cili në konferencë për media pas ndeshjes që Dortmund-i e humbi në Bundesligë kundër Bochum-it, tha se në fund të sezonit do të largohet nga “Signal Iduna Park”.

“Jam i gëzuar që kalova katër vite të shkëlqyera këtu dhe jam i mërzitur që po largohem, por ka ardhur koha për një eksperiencë tjetër”, tha Witsel.

Ai më pas u pyet nga gazetarët se a do të kthehet në kampionatin belg, por Witsel tha se është ende herët për t’u rikthyer në vendlindjen e tij.

Mediat gjermane kanë raportuar se e ardhmja e mesfushorit 33 vjeçar lidhet me kampionatin italian dhe atë amerikan.

Roma, Lazio, e Fiorentina janë skuadrat italiane që e pëlqejnë lojtarin, derisa Los Angeles dhe Los Angeles Galaxy e duan transferimin e tij në MLS.

Kujtojmë që Witsel iu bashkua Dortmund-it në verën e vitit 2018, të cilin e transferuan nga skuadra kineze, Tianjin Teda për shumën e 20 milionë eurove.

Ai më herët ishte pjesë e skuadrës ruse, Zenit, para se të transferohej në Kinë, ndërsa në të kaluarën ka luajtur edhe për Standard-in në Belgjikë dhe për Benfica-n në Portugali.

Gjatë katër viteve në Dortmund, Witsel ka zhvilluar 143 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 13 gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore