Lajme

Whoopi Goldberg kërkon falje për deklaratën se Holokausti “nuk ka të bëjë me racën”


Prezantuesja dhe aktorja, Whoopi Goldberg

Whoopi Goldberg, ka kërkuar “faljet më të sinqerta” pasi u dënua gjerësisht për fjalët se Holokausti “nuk ka të bëjë me racën” gjatë emisionit të saj.

Aktorja fituese e Oskarit, e cila është bashkë-prezantuese e “The View” në ABC, e përshkroi mizorinë e Luftës së Dytë Botërore si për “çnjerëzimin i njeriut ndaj njeriut”.

Këto komente ajo i bëri gjatë një diskutimi rreth vendimit të një bordi shkolle në Tenesi për të ndaluar romanin grafik të Holokaustit, fitues i çmimit Pulitzer, Maus, raporton e përditshmja “The Guardian”.

Në një deklaratë të postuar në llogarinë e saj Twitter, Goldberg tha: “Në emisionin e sotëm thashë se Holokausti ‘nuk ka të bëjë me racën, por me çnjerëzimin e njeriut ndaj njeriut’. Duhet të kisha thënë se bëhet fjalë për të dyja”.

“Siç ndau Jonathan Greenblatt nga Lidhja Anti-Shpifje, ‘Holokausti kishte të bënte me asgjësimin sistematik të popullit hebre nga nazistët, të cilin ata e konsideronin si një racë inferiore’.

“Populli hebre në mbarë botën ka pasur gjithmonë mbështetjen time dhe kjo nuk do të lëkundet kurrë. Më vjen keq për lëndimin që kam shkaktuar”, kishte shkruar ajo.

Në diskutimin origjinal, Goldberg tha: “Le të jemi të sinqertë, Holokausti nuk ka të bëjë me racën, nuk është. Bëhet fjalë për çnjerëzimin e njeriut ndaj njeriut, për këtë bëhet fjalë. Këta janë dy grupe njerëzish të bardhë”.

Ajo vazhdoi: “Po e humbisni çështjen… le të flasim për atë që është në të vërtetë. Ka të bëjë me mënyrën se si njerëzit e trajtojnë njëri-tjetrin. Është një problem. Nuk ka rëndësi nëse je i zi apo i bardhë”.

Prezantuesja dhe aktorja, Whoopi Goldberg
Komentet e saj u dënuan nga aktivistët si “të rrezikshme”.

Duke iu përgjigjur faljes, Gleenblatt falënderoi Goldberg për “pranimin e Holokaustit për atë që ishte”.

“Faleminderit WhoopiGoldberg për korrigjimin e deklaratës suaj të mëparshme dhe për pranimin e #Holokaustit për atë që ishte”, shkroi ai në Twitter. “Ndërsa #antisemitizmi rritet në nivele historike, shpresoj se ne mund të punojmë së bashku për të luftuar injorancën e atij krimi të tmerrshëm dhe urrejtjes që kërcënon të gjithë.”

Ndërkaq organizata “StopAntisemitism” tha se komentet e Goldberg kishin “minimizuar” traumën dhe vuajtjen e shkaktuar nga mizoritë.

“6 milionë prej nesh u goditën me gaz, u vranë nga uria dhe u masakruan sepse u konsideruam si një racë inferiore nga nazistët”, shkruante organizata. “Si guxoni të minimizoni traumat dhe vuajtjet tona!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore