Sport

Wenger: Tifozët dhe lojtarët duan turne të nivelit të lartë


Ish-trajneri i famshëm i Arsenal-it, francezi Arsene Wenger, ka hedhur idenë për të organizuar Kupën e Botës çdo dy vjet.

Tashmë, në rolin e këshilltarit në FIFA, institucionin më të lartë të futbollit në botë, Wenger-i ka hedhur idenë revolucionare që do të ndikonte në zhvillimin global të futbollit.

Njëra prej ideve të hedhura nga francezi është edhe organizimi i Kupës së Botës, jo një herë në katër vjet, por një herë në dy vjet.

Në një intervistë për “L’Equipe”, ish-tekniku ka folur mbi idenë e tij, e cila po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje nga persona të ndryshëm që kanë lidhje me futbollin.

“Në vend të katër periudhave të pushimeve për ekipet kombëtare, do të kishte dy. Do të ishte një periudhë kushtuar eksluzivisht kualifikimeve dhe do të krijonte tensionin që nuk ekziston sot”, tha Wenger-i për “L’Equipe”.

Ideja e Wenger-it bazohet në dy parime kryesore. E para, tifozët janë gjithmonë të interesuar të shikojnë turne të mëdhenj ku skuadrat e tyre të demostrojnë potencialin. Dhe e dyta, lojtarët nuk duan të luajnë në lojëra që nuk i stimulojnë ata.

“Nëse do të lejojmë që kohëzgjatja të rrisë privilegjin, ne do të duhet të luajmë një Kupe Bote çdo dhejtë vjet”, shtoi francezi.

“Duhet të kesh guxim t’i thuash vetes se bukuria dhe prestigji i konkursit varen mbi të gjitha nga cilësia e konkursit”.

Kjo qasje mund të sugjerojë që FIFA të anojë në anën e Superligës Evropiane, por në këtë rast për Wenger-in ajo është një garë e mbyllur.

“Pengesa më e madhe e Superligës është se nuk bazohet në cilësinë sportive”, theksoi ai. “Bazohet në prestigjin e klubeve dhe jo në performancë”.

“Ne duhet të sigurohemi që bota e futbollit të ruajë një unitet dhe për këtë ne duhet ta organizojmë atë ndryshe”.

“Futbolli është sporti numër një në botë, por kjo nuk është arsye për të qëndruar ulur dhe për të mos u përpjekur të parashikosh”.

Sipas Wenger-it projekti do të gjente miratimin e 166 vendeve anëtare të FIFA, të cilat kishin kërkuar të rishikonin idenë e cila mund të vihet në zbatim duke filluar nga viti 2028.

Megjithatë, presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin-i ka shprehur dyshimet e tij për projektin e propozuar nga ish -trajneri i Arsenalit.

“Është e pamundur, është një ide joracionale”, ka thënë Ceferin-i. “Kupa e ardhshme Botërore pas 2022, është ajo në 2026. Në 2028 ne do të kemi Kampionatin Evropian, kështu që nëse ka një Kupë Bote 2028, ekipet evropiane nuk do të luajnë në të”, përfundoi kreu i UEFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore