Lajme

Weber: Asociacioni ishte arsyeja që dialogu ngeci


Eksperti i Ballkanit dhe bashkëpunëtori i lartë të Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, në një intervistë për Albania Post ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është njëra prej arsyeve që ka ngecur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Problemi është se BE-ja u shmang përmes dy marrëveshjeve, një në 2013 dhe e dyta në gusht 2015, për të përcaktuar thelbin e Asociacionit. Dhe ndërsa dialogu rrëshqiti në krizë, jo vetëm që çështja e Asociacionit u bllokua, por Asociacioni ishte arsyeja që dialogu ngeci”, tha Weber.

“Kur u nënshkrua Marrëveshja e Prillit në vitin 2013 dhe Beogradi në sfondin e vendosmërisë perëndimore pranoi në thelb Kosovën e pavarur, Asociacioni iu dha si një gjest simbolik Beogradit, si diçka që teorikisht do ta bënte më të lehtë për Beogradin që për tre dekada kishte bindur serbët e Kosovës në veri se ishin pjesë e Serbisë, për t’u thënë atyre se megjithatë do të përfundojnë në Kosovë”.

Madje sipas tij, “për t’i bërë gjërat edhe më keq,‘një elefant tjetër është në dhomën e ndejës, domethënë mekanizmat mono-etnikë të paraparë në marrëveshje janë në kundërshtim me konventën evropiane për të drejtat e njeriut, pra parimin e mosdiskriminimit”.

Ai mendon që çështja e padefinuar e Asociacionit, kompetencat e tij, duhet të përcaktohen, por në esencë dy marrëveshje do të duhet të rishikohen pjesërisht.

“E gjithë kjo për mendimin tim mund të bëhet vetëm në kuadër të negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen formale të Kosovës nga Serbia”.

 

Intervistë me sociologun gjerman, Bodo Weber: Kurti u bë viktimë e botëkuptimit të tij dogmatik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore