Lajme

Walker: S’po e kuptoj presionin e ShBA-së ndaj Kosovës


William Walker

Ish-shefi i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, William Walker, ka thënë se për tensionet e krijuara në Veri të Kosovës është fajtore Serbia, ndërsa edhe kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, të cilët e kanë bërë fajtore Qeverinë për situatën në Veri – pas vendimit që Policia t’i asistojë kryetarët e komunave Veriore për t’i futur në zyrat e tyre, çka shkaktoi tensione mes Policisë dhe serbëve lokalë –  i ka konsideruar të padrejta.

“Sinqerisht nuk jam duke e kuptuar këtë presion që po i bëhet tash e sa kohë kryeministrit Albin Kurti. Ky presion nga ShBA-të nuk po bëhet ndaj vetëm ndaj kësaj qeverie, por edhe atyre të mëparshme. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, ai ka marrë mbështetje që të bëjë më të mirën për vendin dhe konsideroj se është duke e bërë këtë gjë”, ka thënë ai për “Tëvë1”.

Ndërkaq, ai theksoi se i vjen keq që si rezultat i këtyre zhvillimeve “janë dëmtuar raportet me ShBA-të, me aleatin më të rëndësishëm që ka Kosova”.

“Në anën tjetër duke e toleruar vazhdimisht Serbinë me këto veprime asnjëherë nuk do të ketë qetësi në veriun e Kosovës”, shtoi ai.

Në zgjedhjet për katër komunat Veriore të Kosovës, përfaqësuesit politik të serbëve, veçanërisht partia më e madhe Lista Serbe – e dirigjuar nga Beogradi – bënë thirrje dhe kërcënuan që të bojkotohen këto zgjedhje, duke bërë kështu që të gjithë kryetarët që u zgjodhën të ishin shqiptarë.

Duke u nisur nga kjo Walker pyeti se pse serbët nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore?”, duke vazhduar të thotë se “pse ata po vazhdojnë të marrin urdhra nga Beogradi?”.

“E kuptoj që pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte shumë e ulët, por ata kryetarë erdhën përmes votës andaj ata duhet ta ushtrojnë detyrën në objektet e komunës. Siç mund ta shihni tani komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjedhje reja në katër komunat veriore dhe kjo realisht pritet ndodhë, por për mendimin tim Beogradi bart përgjegjësinë kryesore për këto tensione të krijuara në veri të Kosovës”, potencoi ai.

Walker beson se shteti i Serbisë “është duke u toleruar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar”.

Ndryshe, për tensionet e krijuara në Veri të Kosovës, është fajësuar Qeveria e Kosovës dhe konkretisht kryeministri Albin Kurti.

Për këtë arsye në Kosovë, të hënën dhe të martën kanë qëndruar për vizitë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ku janë takuar me krerët e shtetit si dhe me liderët e partive opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit Escobar dhe Lajçak, ka thënë se kanë biseduar për de-eskalim të situatës në Veri dhe zgjedhjet e reja.

“U shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit”, thuhej në njoftim për media nga Qeveria.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.

Sipas njoftimit, kryeministri ka theksuar se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve.

“Shtensionimi, zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”.

Këto kanë qenë kërkesat e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak që ia kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit gjatë takimit 2 orësh në objektin e Qeverisë.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçak para gazetarëve.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

“Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë”, shtoi diplomati sllovak.

Ndërkohë, Escobar potencoi se ai erdhi në këtë takim, si mik i Kosovës dhe shtoi se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, theksoi Escobar.

Diplomati amerikan ka shtuar se “jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj”.

“Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, shtoi ai, derisa e ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan nga protestuesit serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore