Lajme

Walker: Serbia ka investuar shumë në propagandën kundër masakrës së Reçakut, Vuçiç ishte në zinxhirin komandues të Millosheviçit


Ish-ambasadori i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, thotë se Serbia ka investuar shumë në propagandë për të mohuar masakrën e Reçakut, e cila u krye nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Walker në një intervistë për The Geopost thekson se presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiç ishte në zinxhirin komandues të Sllobodan Millosheviçit, i cili kishte dhënë urdhrin për kryerjen e kësaj masakre më 15 janar 1999.

“Vuçiç ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Millosheviçit, kur do të kenë Gjykatën Speciale për ta?”, ka pyetur ai.

“Që në fillim Serbia ka thënë se kjo ngjarje nuk është e vërtetë. Ata kishin shumë justifikime, se unë jam agjent i CIA-s me mbulesë ndërkombëtare nga OSBE-ja, se jam dërguar këtu nga CIA ose nga Departamenti i Shtetit ose nga Shtëpia e Bardhë për të shkatërruar disi Serbinë dhe se kam qenë i gatshëm t’i them çdo gënjeshtër”, thekson ish-ambasadori i OSBE-së.

“Kur e di që ministri i Propagandës në kohën e Millosheviçit ishte një zotëri i quajtur Aleksandër Vuçiç dhe se po përhapte të gjitha këto gjëra qesharake për mua dhe për çfarë kam ardhur në Kosovë, e kuptoj pse ai ende përdor temën e masakrës së Reçakut dhe cili ishte versioni serb i asaj që ndodhi”, shton Walker.

Po ashtu, ai pohon se histori të tilla mohimi po dilnin vazhdimisht nga Beogradi kur Vuçiç ishte ministër i Propagandës, duke përmendur rastin Panda që ndodhi në Pejë.

“Nëse flasim për vrasjet në lokalin Panda në Pejë ka një lidhje mes historive të dala nga Beogradi kur Vuçiç ishte ministër”.

Sipas Walkerit, propaganda e Vuçiç-it duhet kuptuar në të gjitha kryeqytetet evropiane kur është fjala për masakrën e Reçakut.

“Unë mendoj se të gjithë në kryeqytetet e Evropës që kanë njohuri për Vuçiç-in dhe propagandën serbe e kuptojnë, shumë nga njerëzit që janë tani në ministritë e jashtme të pjesës tjetër të Evropës ishin shumë të rinj për të ditur për Reçakun në atë kohë”.

Walker thekson se Rusia vazhdon të jetë mbështetëse e Serbisë dhe sipas tij, nëse vendet e Ballkanit duan të qetësohen, atëherë ndikimi rus në këtë rajon duhet të zvogëlohet.

“Nëse Ballkani do të qetësohet ndonjëherë, do të kërkojë që ndikimi rus në zonë të reduktohet. Rusia është ende një mbështetëse e fortë e Serbisë, pavarësisht nga pozicioni i Serbisë. E kuptoj që Serbia mund të jetë shumë e ashpër në negociata për disa çështje, mendoj se kjo rrjedh nga Moska, mendoj se pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pak më e ashpër ndaj Serbisë nëse duan të jenë pjesë e botës moderne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore