Lajme

Wagner-i në vështirësi shpall fitoren në Bakhmut, Kievi e mohon


Tashmë pak e marrin seriozisht, për faktin e thjeshtë se është kthyer në një zakon, që sa herë Yevgeny Prigozhin e gjen veten në vështirësi, ai shpall papritmas se mercenarët e tij nga brigada Wagner po fitojnë betejën e Bakhmut-it.

Nuk është e vërtetë, nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë, as sot dhe as në të kaluarën, por duket se atij pak i intereson që të mohohet nga komandat ukrainase dhe nga realiteti i luftës në terren.

Gjithashtu edhe sepse në muajt e fundit ai kurrë nuk e ka pasur problem të lëshojë deklarata të ndryshme, nëse jo të kundërta, duke akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes në Moskë dhe shtabin e përgjithshëm rus si “absolutisht të paaftë” në drejtimin e konfliktit, ose të paaftë për të furnizuar me municion “heronjtë e tij luftëtarë”, aq sa, nëse rastësisht do të mposhteshin, përgjegjësia do të ishte e gjitha e tyre, sigurisht jo e ushtarëve të tij.

Por sot komandanti i Wagner-it ka një arsye më shumë për të njoftuar, siç bëri një natë tjetër, se njësitë e tij kanë ngritur flamurin në çatinë gjysmë të rrënuar të bashkisë në qendër të Bakhmut-it dhe për këtë arsye qyteti quhet “i pushtuar nga pikëpamja juridike”.

Veç për të shtuar menjëherë pas kësaj, që ushtarët ukrainas “vazhdojnë të rezistojnë në lagjet perëndimore”.

Në fakt, fjalët e tij erdhën pak orë pas vrasjes së mikut të tij të vjetër Maksim Fomin, blogerit ekstremist nacionalist i vrarë dy ditë më parë teksa mbante një konferencë në Shën Petersburg.

“Unë nuk mendoj se ukrainasit janë përgjegjës”, nxitoi të thoshte ai, duke mohuar atë që njerëzit e regjimit të Putin-it po kërkonin të bënin për të shuar polemikat e brendshme, duke drejtuar gishtin nga Kievi.

Për Prigozhin, vrasja e mikut të tij është një paralajmërim: në këtë moment vështirësie, ndërkohë që ukrainasit po rezistojnë mirë dhe madje duket se do të nisin kundërsulmin e tyre pranveror falë sasive të mëdha të armëve dhe municioneve të dërguara nga aleatët perëndimorë, edhe ai vetë rrezikon goxha.

Moska nuk i toleron më kritikat, madje as ato që vijnë “nga e djathta” dhe nga super-nacionalistët si ai të angazhuar për të fshirë Ukrainën e pavarur nga faqja e dheut.

Ndërkohë vijon tërheqja e përgjakshme për kontrollin e këtij qyteti i cili para luftës kishte 70 mijë banorë (sot më pak se 3 mijë) dhe tani është bërë simboli i sfidës për Donbas-in.

Duket se pararojat e Wagner-it kanë kaluar lumin që e ndan në dysh dhe kanë kapur kantierët e fabrikës së çelikut të Azov-it.

Por për rreth një muaj njësitë ukrainase kanë marrë përforcime të reja, të cilat garantojnë fluksin e furnizimeve dhe shtabi i përgjithshëm nga Kievi përsërit se nuk kanë ndërmend t’i tërheqin, të paktën tani për tani.

“Deklarata se Bakhmut ka rënë nuk është as afër realitetit”, deklaron Andryi Yermak, një nga këshilltarët e Presidentit Zelensky, i cili në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit me rrjete të unifikuara falënderoi përsëri “heronjtë tanë që rezistojnë në Bakhmut”, duke theksuar se sfida “mbetet e vështirë”.

Edhe nga Shtëpia e Bardhë vjen mohimi se Wagner kontrollon qytetin.

Por rusët vazhdojnë të bombardojnë rajonin.

Në orët e fundit, të paktën gjashtë persona janë vrarë në zonën urbane të Kostyantynivka, nga ku njësitë ukrainase nisen për në vijën e frontit.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore